ZYRTARE: UEFA fton Trepçën ’89 në Ligën e Kampionëve (FOTO)

Trepça ’89 do të jetë skuadra e parë kosovare që do të luajë në kualifikimet e kompeticionit prestigjioz, Liga e Kampionëve.

Sport

16/06/2017 20:08

Trepça ’89 do të jetë skuadra e parë kosovare që do të luajë në kualifikimet e kompeticionit prestigjioz, Liga e Kampionëve.

Pjesëmarrjen e 89-shit e ka konfirmuar institucioni drejtues i futbollit evropian, UEFA.

UEFA i ka dërguar letër klubit mitrovicas, ku ka konfirmuar pjesëmarrjen e 89-shit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Trepçës ’89 në Facebook.

“E konfirmuar nga presidenti Abedin Zeka. UEFA e konfirmon edhe me shkrim pjesëmarrjen e Trepçës ’89 në arenën ndërkombëtare, konkretisht në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Klubi minator ka publikuar edhe letrën që e ka pranuar nga UEFA sot.

Në këtë mënyrë merr fund ëndërra e Feronikelit për të luajtur në Evropë këtë edicion, pas kundërshtimit të fuqishëm për licencimin e Trepçës ’89.

Ekipi i Zekirija Ramadanit ndodhet në Slloveni, duke u përgatitur sa më mirë për ndeshjet ndërkombëtare.

Kështu, Trepça ’89 shkruan historinë e futbollit kosovar në vitin kur fitoi titullin e parë kampion në histori të klubit./GazetaOlle/