Zhveshja e Jetës

Ese për filmin “Ida” i Pawel Pawlikowski-it, fituesit të “Oscar-it” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj

Opinion

24/03/2015 15:16

Filmi i Pawlikowskit, do të mund të titullohej kështu: Film i shkurtër për krimin, për pendimin, për dashurinë. Për besimin dhe shpresën. Për të gjitha ato dukuri, që e bëjnë njeriun, dhe që e zhbëjnë njeriun. Kur janë. Me pakicë dhe me shumicë.

“Ida” është filmi i regjisorit polak Pawel Pawlikowski, i cili sivjet fitoi Çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

“Ida” ka mundur të merr një çmim, që aktualisht nuk ekziston në Hollywood: Për filmin më të mirë të ‘huaj’, karshi kinematografisë ‘autentike’ që mbizotëron sot në Amerikë dhe në përgjithësi, në Botë.

“Ida” është film fare i shkurtër, vetëm tetëdhjetë minuta. Me logjikën e Dekalogut të filmave të Krzysztof Kieslowski-t, i cili ia kushtoi dhjetë filmat e tij Dhjetë Urdhërave hyjnore nga ‘Bibla’, filmi i Pawlikowskit, do të mund të titullohej kështu: Film i shkurtër për krimin, për pendimin, për dashurinë. Për Njeriun dhe për Zotin. Për besimin dhe shpresën. Për të gjitha ato ndjenja dhe dukuri, që e bëjnë njeriun, dhe që e zhbëjnë njeriun. Kur janë. Me pakicë dhe me shumicë.

“Ida” pos që është i shkurtër, gjë që është diçka e ‘huaj’ në kinematografinë e sotme, është edhe bardh dhe zi, një tjetër veçori tepër e rrallë në filmin bashkëkohor. Dhe këtu, teknika bardhe dhe zi, nuk është tipar i dorëshkrimit regjisorial, por në radhë të parë, është mënyra më e mirë për t’i bërë krejtësisht të dukshme, gjendjet skajnore të cilat shfaqen në këtë film. Pastaj, si i tillë, si film bardh dhe zi, dhe me përmbajtjen që ofron, “Ida” të duket që vjen nga një Botë tjetër, që nuk ekziston më. As në film, as në jetë.

Secili prej nesh, në familjet tona, ka fotografi bardh dhe zi. A nuk na duken ato që janë mbetje nga një jetë dhe nga një Botë të cilën nuk e kemi më? A nuk na merr malli sa herë që t’i shohim ato? Si për një të kaluar që na ka ndodhë, jo dhjetëra vjet më parë, por siç na duket ne, para qindra vitesh?

Fotografia atëherë ka qenë diç shumë e rrallë, shumë e veçantë, shumë e vlefshme.

Bëhej në shënim a festim të jetës, me synim të zënies së një çasti që duhet të ishte i përjetshëm për ata që dilnin në fotografi.

Fotografia tash është diç e shpeshtë, e rëndomtë, e përditshme.

Kemi ‘smartfonat’ për ta banalizuar fotografinë. Rëndom, zaten, fotografia shfaqë diçka që është banale, në përditshmërinë e saj, në jetën tonë. Edhe nëse ka diçka të veçantë në këto pamje, vështirë që mund t’i dallojmë ato, në gjithë atë mal kotësirash që i bëjmë ne vet.

Realizmin e filmit “Ida”, njohësit e kinematografisë e pagëzuan si ‘realizëm minimal’. Në fakt, për të gjithë ne që jetojmë në këtë kohë, ky është një film që ka realizëm të plotë, i cili madje, mund të quhet edhe si realiteti-në-vete. Ne jetojmë në realitetin e prodhuar në mënyrë sintetike. Ai është mbi të gjitha, program televiziv. Nuk është televizioni riprodhues dhe pasqyrues i jetës, i realitetit. Ne jemi riprodhues dhe pasqyrues të televizionit. TV është një lloj i fast-reality, poaq si ushqimi që është fast-food. Apo, ai është një reality show. Mbi të gjitha.

“Ida”, në përmbajtjen e tij, është film për zbulimet e shumëfishta, përbrenda këtij realiteti-në-vete.

Krejt në fillim të tij, ndodhë zbulimi i një skulpture të Krishtit, e cila lartësohet në oborrin e një manastiri murgeshash, gjysmë të rrënuar, të vjetër, ku heshtja është besim në Zot dhe fjala mbetet vetëm lutje drejtuar Zotit.

Protagonistja kryesore e filmit, është një 18 vjeçe, me emrin e saj Anna, që pritet së shpejti të betohet si murgeshë. Ajo nuk di gjë për veten, si foshnje ishte sjellë në jetimore, më pas, ishte rritë në manastir. Ajo nuk e njeh jetën jashtë mureve të manastirit. Ngjarja shënohet në Poloninë e vitit 1962, kur në pushtet ishte Komunizmi, dhe ku Zoti ishte në opozitë. Në trajtë të Kishës Katolike.

Anna, të cilën e luan në film Agata Trzebuchowska, një aktore e re polake, ka bukuri të natyrshme. Dhe ka pafajësinë dhe dëlirësinë e të qenit në shërbim të Zotit. Siç do të pohojë më vonë regjisori Pawlikowski, Agata Trzebuchowska dukej si një vajzë që kurrë në jetën e saj nuk ka parë televizor. Kaq mjaftonte për ta angazhuar në rolin kryesor.

Anna si e tillë, me rekomandimin e prerë të Nënës murgeshë, shkon ta takojë tezen e saj, për të kuptuar se kush është, para se ta marrë hapin final të jetës së saj: Bërjes murgeshë.

Takimi me tezen, emri i të cilës është Wanda Gruz, përmbysë për pak ditë, gjithçka në te dhe rreth saj.

Emri i saj i vërtetë del që është Ida Lebenstein. Ajo kupton që është hebreje, me kombësi, pjestare e një populli që ka përjetuar Holokaustin, me tragjedi. Ida, kështu merr vesh që është bija e prindërve të vrarë nga një familje polake që kujdesej për ta, që viktimë tjetër në këtë varr është edhe djali i tezes së saj, dhe që është mbesa e Wanda Gruz, e cila luftoi si partizane, ku vrau njerëz, që si prokurore në Poloninë e pasluftës, dënoi me vdekje shumë ‘armiq të popullit’, dhe e cila në ndërkohë, ka mbërri në stadin ku nuk beson më në asgjë: As në Zot, si besimtare, as në Komunizëm, si komuniste, as në vete, si Njeri.

Nuk beson më në Jetë.

Ida e gjen Wanda-n të dorëzuar banalitetit të përditshmërisë. Ajo pi duhan pandëreprarë, pi raki shpesh, bën seks çdo ditë. Diqysh duhet të kalohet dita dhe nata. Disi duhet të jetohet. Apo, jetohet gjithqysh.

Ida dhe Wanda nisen për në vendin e krimit, në një fshat të lënë polak, ku duhet të jetë edhe varri i familjarëve të vrarë.

Wanda ia mësynë atij vendi me shpresë që disi do t’i shpëtojë vdekjes që po i vjen, e cila do të merr emrin e vetëvrasjes së saj. Ida shkon atje për ta gjetur kobin e familjes së saj si hebreje, dhe fatin e saj si murgeshë.

Wanda, e mbushur tym duhani, raki të çfarëdo qoftë, epsh të kotë, mllef dhe dëshpërim, si një ish-prokurore, do ta përmbledhë gjithë këtë rrugëtim në një lloj Aktakuze për vrasësit e familjarëve të saj, për tragjedinë që ka ndodhë atypari, sipër frikës dhe të keqes njerëzore, aktakuzë për Zotin që e lejoi gjithë këtë tmerr të ndodhë. Zaten, kur nisen për në fshat, Wanda i drejtohet Ida-s me fjalët: ‘Çka nëse atje zbulon që nuk ka fare Zot?’

Ida zbulon, gjatë kësaj vizite në vendin e krimit, që është fëmijë që është shpëtuar nga vrasësit e prindërve, duke e dërguar në jetimore, sepse ishte shumë e vogël, dhe pse nuk i përngjante fare hebrenjve.

Shpëtimtarët e saj, ata që ishin me mëshirë për te, ishin vrasës të pamëshirshëm të prindërve dhe të djalit të vogël të Wanda-s.

Wanda dhe Ida i marrin eshtrat dhe i shtinë në dhe, në një varrezë hebreike, gjysmë të rrënuar.

Wanda dhe Ida kështu zbulojnë të vërtetën. Për ata që u vranë, 18 vjet më parë, në luftë. Dhe për veten, tash, në paqe.

Kjo e vërtetë, shfaqet te Wanda, në trajtë të të kuptuarit të rrenës në të cilën jeton. Ashtu, prej një tymi të duhanit në tjetrin, prej një gote të rakisë në tjetrën, prej një mashkulli të paemër, në tjetrin. Prej një dite në tjetrën. Jeta e saj mund të shpëtohet veçse nëse Ida vendosë të rri me te, apo, të mos i kthehet manastirit, ku duhet të lutet te Zoti, për shpëtimin e njeriut, në emër të Jezuiut, që kishte lindë, kishte vdekur dhe ishte ringjallur për njeriun.

Ida vendosë të kthehet në manastir, për tu bërë murgeshë. Për të ikur disi nga identiteti që rifitoi duke u njohur me tezen dhe me kobin familjar.

Kemi Zotin për të shpëtuar nga Vetja.

Wanda vret veten duke u hedhur nga dritarja, pasi që lahet dhe pastrohet në vaskë, pas cigares së fundit, e përcjellë nga tingujt e muzikës klasike nga gramafoni.

Wanda kupton që vdekja është e vërteta e vetme që i ka mbetur. Për të shpëtuar nga Vetja.

Ida e cila në ndërkohë mbushet dyshime për betimin që duhet dhënë si murgeshë, kthehet në qytet për ta varrosë tezen.

Pas varrimit, Ida shkon në banesën e Wanda-s. E veshë një fustan të bukur të tezes, i vë në këmbë këpucët me take. Ndezë cigaren, pi raki. Me një saksofonist të një jazz grupi me të cilin ishin njohur më parë Wanda dhe ajo, Ida bën dashuri për herë të parë.

Ida vishet me jetë të rëndomtë.

Teksa është lakuriq në shtrat me të dashurin, si Adami dhe Eva, atje në fillimet e jetës, Ida e pyet atë se çka do të ndodhë tash e tutje. Ky i tregon që do të shkojë me bendin e tij në Gdanjsk, dhe Ida mund t’i bashkohet. Do ta shohin edhe detin atje. Ida vazhdon të pyes: Dhe çka më tutje? Ky i përgjigjet shkurt: Pastaj vijnë qeni, martesa, fëmija, shtëpija. Dhe çka më pas, tutje pyet Ida. Ai ia kthen: Jeta. E rëndomtë.

Ida kthehet përfundimisht në manastir. Tash kjo i di të gjitha. Kush është. Çka është. Çka është jeta. Çka është vdekja. Çka është dashuria dhe epshi. Çka është koha.

Ida e di tash që asgjë nuk vlenë. Dhe që të gjitha kanë vlerën e vet.

Varet nga pikëshikimi.

Filmi përfundon teksa kjo këmbë ecën kah manastiri, derisa veturat, apo, jeta e zakonshme, lëvizë në drejtimin e kundërt.

Regjisori Pawel Pawlikowski, në njërën prej intervistave të tij, ka thënë që më nuk mashtrohet dot me spektaklet e kinemasë. Pawlikowski thotë që me filmin “Ida” nuk ka dashtë të shpjegojë gjë prej gjëje. Ka dashtë vetëm të na e shfaqë një të vërtetë emocionale, një të vërtetë psikologjike.

E ai më së shumti na foli për ne. Për Njeriun.

Ndryshe, merreni me mend, Pawlikowski është regjisori i parë polak që merr Çmimin ‘Oscar’ për filmin më të mirë në gjuhën e huaj. Të gjithë paraardhësit e tij të mëdhenj, si Wayda, Kieslowski, Zanussi, nuk ia kishin dalë të marrin këtë Çmim.