Zhbllokohet Kuvendi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka arritur që përkohësisht ta zhbllokojë punën e Kuvendit. Pikat kontestuese të pozitës dhe opozitës lihen për javën tjetër.

Lajme

11/11/2013 13:04

Kuvendi i Kosovës të enjten do të zhvillojë seancë të re, duke lënë kështu jashtë rendit të ditës dy pikat kontestuese, atë për shitjen e PTK`së dhe atë për formimin e komisionit hetimor për këtë çështje.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit është arritur një marrëveshje e përkohshme që këto dy pika të diskutohen për javën e ardhshme, zgjidhje që pritet të çojë në zhbllokimin e përkohshëm të punës e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se do të jetë seancë e re dhe do të hiqen dy pikat kontestuese të pozitës dhe opozitës.

“Përkohësisht e kemi tejkaluar problemin që është  krijuar në Kuvend. Seanca e re do të jetën të enjten, mund të vazhdohet edhe të premten me pikat për formimin e komisionit ad-hoc dhe pika tjetër e kërkuar nga opozita lihet të shqyrtohen në ndërkohë për javën tjetër”.

“Nëse këto grupe nuk merren vesh për formimin e Komisionit që është një e drejtë kushtetuese që kanë kërkuar 40 deputetë dhe çështja tjetër që është një raport i Komisionit Qeveritar, mendoj që mund të bllokohet Kuvendi nëse nuk arrihet një dakordim”.

Ilmi Reçica nga PDK e ka përshëndetur zhbllokimin e punës së Kuvendit.

“Ne besojmë që jemi në fazën e parë të arritjes së një marrëveshje për seancën  e radhës që realisht dy çështje e rendit të ditës të diskutohen dhe në fund të shkohet si të tilla në seancë”.

“Me rëndësi është që parlamenti do të funksionalizohet pas një pauze të gjatë dhe do të vazhdojmë me pika tjera të rendit të ditës që janë shumë të rëndësishme edhe për Kosovën”.

Ai ka thënë se do të insistoj që në mbledhjen e radhës të futet përsëri pika për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK`së.

Ismet Beqiri, Shef i GP të LDK`së, ka thënë se zhbllokimi punë së Kuvendit përkohësisht u bë për hir të disa pikave të rëndësishme, por LDK sipas tij nuk do të heqë dorë nga themelimi i Komisionit Hetimor.

“Ne si LDK, por edhe Vetëvendosje, ishim që të vazhdojë seanca ashtu siç ka mbetur për pikën kontestuese për pozitën por edhe jo për opozitën, mirëpo u pa përsëri që nuk ekziston gatishmëria e pozitës dhe realisht janë ata që po e bllokojnë punën, por edhe shtetin në një mënyrë”.

“Ne diskutuam që fundi i fundit të mbahet një seancë për hir të disa pikave të rëndësishme, por që pozicioni ynë , në këtë rast i LDK`së, mbetet i njëjti. Kurdo që vije në radhë çështja e PTK`së, jemi që të formohet komisioni dhe këtu nuk e kemi asnjë dilemë”.

“Nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që komisioni të hiqet nga rendi i ditës”.

Ardian Gjini nga AAK ka thënë se është mirë që u zhbllokua puna e Kuvendit.

“Mendoj se është mirë për Kuvendin që po vazhdon kështu. Janë dy pika të cilat e kanë sjellë situatën e Kuvendit gati në një bllokadë. Ato pika duhet të konsumohen, për ato pika duhet të merret një vendim në një të ardhme. Nuk mund Kuvendi që t`i hedhë ose t`i anashkalojë”.

Ai ka paralajmëruar se çështja për ndryshimin e kodit zgjedhor do të vie shumë shpejt në tavolinë dhe si i tillë duhet të ndryshohet në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme për dallim nga zgjedhjet e kaluara.

Ndërsa Kryetari i GP nga Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se do të qëndrojnë në seancën e radhës por nuk heqin kurrsesi dorë nga formimi i komisionit.

“Do të qëndrohet në seancën e radhës, mirëpo insistojmë që komisioni hetimor të themelohet domosdoshmërish”.

“Realisht nuk kemi çka të diskutojmë dhe nuk mendoj që Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në këto diskutime, sepse tashmë e dimë në çfarë mënyre vepron Grupi Parlamentar i PDK`së”.

“Nuk ka kurrfarë diskutimi, dhe aq më tepër që këtu e kemi një situatë ku po kërkohet që të diskutojnë dhe të arrijnë kompromis ata që e kanë shkelur ligjin që po e mbrojnë këtë shkelje me ata që duan të zbardhin shkeljen e ligjit”.