Zgjedhjet, referendum për Kosovën

Hapja ligjërisht e garës elektorale filloi sot. Zgjedhjet e 11 qershorit janë të parakohshme, ndaj edhe fushata zgjedhore është e limituar në 10 ditë.

Lajme

31/05/2017 18:02

Kufizimi kohor i saj, që u kushtëzua nga rikrijimi sa më shpejt i dy shtyllave të pushtetit në demokraci, legjislativit dhe ekzekutivit, mendoj se e ka pozitiven dhe negativen e vet.

Është pozitive sepse ngushton mundësitë kohore që partitë të shpalosin në elektorat arritjet dhe mosarritjet e objektivave të premtuar prej tyre gati 3 vjet më parë.

Kufizimi i kohës për kontakt e ballafaqim me elektoratin kam bindjen se do të ndikojë në minimizimin e rektorikës patriotike, folklorike, krahinariste e premtimeve të parealizueshme.

Po ashtu kufizon luhatjet në qëndrimet partiake dhe kërkon pozicionimin publik të partive për zgjidhjen e shpejtë, racionale e në interes të së sotmes e të së ardhmes së Kosovës për konsolidimin si shtet demokratik e i besueshëm për mbrojtjen, sigurinë dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve të vet, si shtet që meriton dhe do të realizojë shpejt anëtarësimin në OKB, në NATO dhe ndoshta pak më vonë edhe në BE. Shmang mundësinë e spekulimeve në elektorat, duke devijuar përmes propagandës në takime drejtpërdrejt me zgjedhësit, apo përmes medies së shkruar dhe elektronike, nga deklarimet dhe logoja elektorale e shpallur publikisht para zgjedhjeve nga liderët e partive.

Negativiteti i kohës së shkurtër së fushatës zgjedhore mendoj se është: Kufizimi i mundësisë së reflektimit të qytetarëve për arsyet që shkaktuan zhvillimin e parakohshëm të zgjedhjeve. Vështirë që shumica e bashkëqytetarëve tanë të kenë pranuar dhe të jenë dakordësuar me rrëzimin e Qeverisë dhe arsyet që i shkaktuan ato e të votojnë për kapërcimin e tyre. Këta mund të mos jenë shumë, por pjesëmarrja e tyre e ndërgjegjshme në këto zgjedhje është më shumë se e nevojshme.

Më 11 qershor do të votohet kryesisht për liberalizim e vizave; për zhvillim ekonomik; për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për integrim në strukturat euroatlantike. Këto zgjedhje në fushatë duhet t’i orientojë në votime e nesërmja. Zgjedhjet e 11 qershorit janë hapi i parë përcaktues në të ardhmen. Uroj që bashkërisht, të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në votime, të votojnë për më të mirën duke gjykuar në bazë të programeve politike, por kurrsesi mbi të shkuarën, krahinoren apo biografitë e personalizuara.

Pas kaq vitesh pesha e folklorizmit dhe krahinizmit në Kosovë mendoj se duhet mbaruar. Me votën e 11 qershorit vendosim ekulibrin e domosdoshëm demokratik. Është mundësia e koha që më 11 qershor ta bëjmë këtë! Këto zgjedhje janë referendum për Kosovën!