Zgjedhjet në Veri duhet anuluar

Oliver Ivanovic thotë se duhet të përsëriten zgjedhjet, pasi që nuk do të ishte e lejueshme që një shqiptar të qeverisë me Veriun e Mitrovicës. Sipas tij, serbët duhet të qeverisin me vetveten.

Lajme

04/11/2013 15:57

Oliver Ivanovic ka thënë se duhet anuluar votimi në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, pasi që OSBE kishte braktisur qendrat e votimit disa orë para mbylljes.

“Nëse në krye të Veriut të Mitrovicës zgjidhet një kryetar shqiptar, ai nuk do të mund të fillojë asnjëherë punën, pasi që nuk do të ketë mundësi që të hyjë në ndërtesën e cila ndodhet në pjesën veriore”, ka thënë Ivanovic për mediat serbe.

Ai ka pohuar se qysh me herët ka paralajmëruar se në Veriun e Mitrovicës do të mund të zgjidhet një kryetar shqiptar edhe atë në raundin e parë, në rast se pjesëmarrja e serbëve do të jetë më e vogël se 10 për qind, ndërsa e shqiptarëve rreth 30 apo 40 për qind.

“Një shqiptar do të mund të zgjidhët kryetar komune, por jo edhe të hyjë në objekt, pasi që një veprim i tillë do të minonte tërë planin. Plani për krijimin e një Bashkësie të Komunave Serbe është i bazuar në idenë se serbët duhet të qeverisin me vetveten. Nuk është e logjikshme që shqiptarët të jenë kryetarë komunash me shumicë serbe”.

Ivanovic ka thënë se nuk do të ishte e këshillueshme që zgjedhjet të përsëriten pas 4 javësh, pasi që nuk beson që situata do të mund të ndryshonte aq shpejt. Sipas tij, opsioni më i mirë do të ishte që ato të shtyhen për një kohë të pacaktuar.