Zgjedhjet në Kosovë s’janë kosovare

Halil Matoshi thotë se prezenca permanente e faktorit serb në këtë fushatë zgjedhore po e lëkund shtetësinë e Kosovës. Sipas tij, Beogradi po tenton ta instalojë një entitet serb në brendi të Kosovës.

Lajme

20/10/2013 00:27

Ivica Dacic tani mund të jetë kthyer në Beograd pas të shumëpërfolurës vizitë në Kosovë, por ka lënë shtëllunga pluhuri mbrapa.

Një varg mesazhesh nga Dacic –  sado të koduara por lehtë të deshifrueshme – “për ta ruajtur Serbinë në Kosovë”, sipas analistit kosovar Halil Matoshi, janë tendencë e Beogradit për të krijuar një etnitet të ri politik të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Matoshi thotë se zyrtarët serbë janë duke u munduar që ta ndajnë Kosovën përmes Bashkësisë së Komunave Serbe.

Në ditën kur Dacic qëndroi në Kosovë, Matoshi foli për lajmi.net për përshtypjet e para nga vizita dhe ajo që prodhoi kjo vizitë – deklaratën dykuptimishe të Dacicit.

Për të ardhur në Kosovë ai ka qenë i kushtëzuar të mos marrë pjesë në fushatë të ndonjë subjekti politik dhe të mos u bëjë thirrje serbëve të votojnë për ndonjë subjekt specifik.

“Nuk më përket mua të marr pjesë në tubime partiake, por është e qartë se kë e mbështet Serbia”, ka thënë Dacic, duke aluduar në mbështetjen që Serbia i jep Iniciativës Qytetare Serbe, një listë me kandidatë që janë satelitët politikë të Beogradit në Kosovë.

Thirrjet për mbajtjen e Serbisë në Kosovë si dhe për marrjen e pushtetit në komunat me shumicë serbe dhe shfrytëzimin e tij për nevoja të serbëve, kanë ngjallur reagime tek opinioni publik në Kosovë.

Analisti kosovar Halil Matoshi thotë se Beogradi është duke u munduar që me anë të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë ta montojnë një etnitet politik serb brenda vendit.

“Në rast se Bashkësia e Komunave Serbe do të përfillte ligjet e Kosovës, nuk do të paraqiste përçarje e mosfunksionalitet. Mirëpo, atë që po e synon Beogradi është të krijojë një etnitet të ri politik që po e krahasojnë me Republika Serbska në Bosnje”, ka thënë Matoshi.

Prezenca permanente e faktorit serb në këtë fushatë parazgjedhore, sipas Matoshit, po e lëkund shtetësinë e Kosovës. Ai tha se qëllimi i zyrtarëve serbë është që përmes komunave të arrijnë të ndajnë Kosovën.

“Zgjedhjet në Kosovë më nuk janë kosovare, duke pasur parasysh se një nismë e Serbisë po garon në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe fjalimi i Dacicit në Graçanicë, ku i bën thirrje qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Serbinë. Kjo do të thotë që Serbia, edhe pas marrëveshjes së 19 prillit dhe takimeve tjera, nuk ka heqë dorë nga ndarja e Kosovës”.

Matoshi flet për një ekspansionizëm të ri të Serbisë në Kosovë, për të cilin bashkësia ndërkombëtare ka marrë rolin e spektatorit.

“Përmes kësaj, Serbia do të minojë marrëveshjen e 19 prillit, përderisa prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk do të ndërhyjë me masa më të ashpra për ta zmbrapsur këtë ekspansionizëm të ri të Serbisë në Kosovë”.

Mirëpo, përkundër përpjekjeve të mëdha të Qeverisë së Serbisë për t’i inkurajuar serbët të dalin në zgjedhje, sipas Matoshit një gjë e tillë është e pamundur. Analisti kosovar thotë se incidentet në Veri ua kanë futur frikën qytetarëve.

“Serbët në Veri por edhe në pjesën Qendrore të Kosovës, duke qenë një kohë të gjatë jashtë ligjit, duke mos u kontrolluar as nga Prishtina dhe as nga Beogradi, duket se po e dëshmojnë një mos lojalitet edhe ndaj vetë Qeverisë së Serbisë”.

“Si pasojë e kësaj, mund të vijë edhe tek tensionet në Veri. Dhe, mendoj se dalja e serbëve në zgjedhje do të jetë minimale, sepse do të pengohet nga ekstremistët, nga ata që nuk duan asnjë kompromis me institucionet e Kosovës”, thotë Halil Matoshi për lajmi.net.