Zgjedhjet lokale janë interes nacional, porosit Dacic

Ivica Dacic, gjatë qëndrimit në Graçanicë, tha se nuk do të bëjë fushatë. Pastaj, porositi serbët e Kosovës që të votojnë për partitë serbe, të cilat kanë planprograme të ngjashme me Beogradin zyrtar. Kërkoi të mos i gjuajnë bomba njëri-tjetrit.

Lajme

19/10/2013 13:12

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka mbërritur në Kosovë dhe është pritur nga një numër i madh i qytetarëve, të cilët kanë dalur në rrugë me flamuj të Serbisë dhe pankarta të Listës “Srpska”.

Gjatë vizitës në Manastirin e Graçanicës, Dacic ka thënë se nuk do të flasë rreth zgjedhjeve, për arsye se vizita e tij ka karakter fetar e jo politik.

“Jam këtu që të dërgoj mesazhe paqeje dhe nuk e kam ndërmend të marr pjesë në tubime elektorale dhe as nuk do të flas për zgjedhjet”.

“Për ne është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar dhe Serbia t’i mbrojë qytetarët e saj”.

“Nuk më përket mua të marr pjesë në tubime partiake, por është e qartë se kë e mbështet Serbia”.

Pas takimit që ka pasur me peshkopin serb Teodosie, në Manastirin e Graçanicës, Ivica Dacic ka ftuar serbët e Kosovës që masovikisht të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ai i ka porositur serbët e Kosovës që të votojnë për partitë serbe, të cilat kanë planprograme të ngjashme me Beogradin zyrtar.

Duke iu referuar shpëthimeve të ditëve të fundit në Veri, ai ka thënë se serbët e Kosovës duhet të jene të bashkuar më shumë së kurrë dhe të mos gjuajnë bomba mbi njëri-tjetrin, por t’i zgjasin dorën njëri-tjetrit.

Dacic ka thënë se ka qenë, është dhe do të jetë pranë serbëve të Kosovës.

Gjatë një shëtitjeje nëpër Graçanicë, ai u ka thënë qytetarëve serbë se Qeveria në Prishtinë nuk ka nevojë që të merret me veprimet e Beogradit në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet e 3 nëntorit, sipas tij, do t’u japin serbëve mundësinë që të marrin pushtetit në duart e veta.

“Serbët në Kosovë e kanë kuptuar se lufta për interesa kombëtare është i vetmi garant për një të ardhme më të mirë”.

“Prishtina nuk ua ndalon vizitat atyre të cilët pajtohen me bojkot të zgjedhjeve dhe që janë pro koalicionit me qeverisjen e Prishtinës, sepse atyre u konvenon që serbët të kenë një pjesëmarrje sa më të vogël në këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë diçka çfarë atyre nuk ju përshtatet e ajo është marrja e pushtetit shfrytëzimi i tij për interesa tonë”.

“Për interesa nacionale, duhet të luftojmë me mjete të tjera, të dalim të gjithë në zgjedhjet lokale që të zgjedhim qeveri lokale serbe. Serbia nuk bën thirrje që të dilni në zgjedhje për shkak të Prishtinës, por për shkakun tuajin dhe tonin – që të keni qeverisjen tuaj, që t`i artikuloni interesat e serbëve në Kosovë dhe Metohi, që të keni qeverisje lokale.

Pas zgjedhjeve lokale do të konstituoni komuna të përbashkëta serbe, që ta keni komunën e juaj, kryetarin e juaj. Ejani të bëjmë për herë të parë diçka që është në interesin tonë, e kjo është të organizohemi, të jemi të bashkuar, që t`i fitojnë zgjedhjet lokale në komunat e bashkuara serbe, që do të luftojnë për interesat e serbëve dhe Kosovën e Metohinë”, ka thënë Dacic.