Zgjedhje në tërë Veriun

Kandidatja për Kryetare të Komunës Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ishte dashur që t’i përsëriste zgjedhjet në të gjitha vendvotimet në Veri të Mitrovicës dhe jo vetëm në tri prej tyre.

Lajme

10/11/2013 11:07

Incidentet e dhunshme në ditën e zgjedhjeve me 3 nëntor ndërprenë procesin zgjedhor në Veriun e Mitrovicës, dy orë para kohës.

Persona të maskuar nga grupe ekstremiste serbe nuk lejuan zhvillimin normal të këtij procesi deri në fund, për shkak të siç pohohet, numrit të vogël të daljes në zgjedhje të serbëve, me çka rrezikohej fitorja e Kandidatit të Listës Serbe për Kryetar Komune, Kërstimir Pantic, që kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.

Kandidati shqiptar, Agim Deva, kishte dalë i parë me vota, ndërsa kandidatja Ardiana Hoxhiq e dyta.

Tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të përsëriten zgjedhjet vetëm në tri vendvotimet në të cilat procesi zgjedhor u ndal dhunshëm, e në të cilat ekstremistët serbë shkatërruan materialin zgjedhor.

Ndërkohë Qeveria e Serbisë u ka bërë thirrje serbëve që në mënyrë masive të dalin në zgjedhje për ta përmbysur rezultatin, në mënyrë që kandidati i tyre të jetë Kryetar i ardhshëm i Mitrovicës.

Kandidatja për Kryetare të Komunës Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ishte dashur që t’i përsëriste zgjedhjet në të gjitha vendvotimet në Veri të Mitrovicës dhe jo vetëm në tri prej tyre.

“Përderisa u dashtë t’i përsërisim zgjedhjet në veri të Mitrovicës, atëherë ishte dashur që përsëritja të bëhej në të gjitha vendvotimet, pasi vendvotimet tjera ku nuk pati dhunë, u mbyllën para kohe dhe kështu një numër i madh i njerëzve s’patëm mundësi të realizojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar”, ka thënë Hoxhiq për Zërin e Amerikës.

Hoxhiq ka shtuar se nuk pret që gjatë 17 nëntorit, në tri qendrat ku janë përsëritur votimet, të mos ketë tensione, për që institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë do të duhet që ta kryenin punë e tyre.

Rivotimi në tri vendvotime në pjesën Veriore të Mitrovicës do të zhvillohet më 17 nëntor.

Ndërsa balotazhi në të gjitha komunat do të mbahet më 1 dhjetor.