Zbulohet emri i të dyshuarit për vrasjen, dorëzohet shoqëruesi i tij

Pas të shtënave me armë zjarri mes kosovarëve në një tramvaj në Vjenë të Austrisë, njëri nga dy të dyshuarit është lajmëruar në polici. Ai ka deklaruar se nuk ka qëlluar. Ndërsa, sipas policisë në arrati është i dyshuari kryesor Ardian J., raportojnë mediet austriake.

Lajme

28/05/2015 23:49

Shoqëruesi i të dyshuarit kryesor, i cili të dielën në mbrëmje në një tramvaj vrau një person (nga Prishtina) dhe plagosi dy të tjerë, është paraqitur të enjten në polici me avokatin e vet. Siç ka thënë policia austriake, i paraqituri në polici është një shqiptar i moshës 30 vjeçe. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se nuk ka gjuajtur më armë zjarri dhe nuk ka qenë në njohuri me mosmarrëveshjen që kanë pasur të dy palët më parë. Për shkak të mos gjetjes së provave nga prokuroria, 30 vjeçari është liruar, raporton TCH.

Gjatë të shtënave në tramvajin numër 49, në rrugën Johnstrasse në Vjenë, mbeti i vdekur një person i moshës 28 vjeçe, u plagos vëllai i tij, 25 vjeçar, si dhe një vajzë 19 vjeçare (austriake), e cila ishte kalimtare rasti.

Sipas avokatit të 30 vjeçarit, Timo Gerersdorfer, klienti i tij ishte fshehur dhe ka fjetur në një park derisa avokati është kthyer nga pushimet.

Ndërkohë, i plagosuri nga pala e dëmtuar ka deklaruar se mes dy familjeve shqiptare ka pasur një mosmarrëveshje prej vitesh. Ata ishin takuar më qëllim për të i diskutuar gjërat, por gjatë udhëtimit të tyre me tramvaj situata ishte tensionuar. Kur dy vëllezërit donin të zbritnin nga tramvaji, papritmas janë qëlluar me armë zjarri.

Sipas policisë, i dyshuari për shkrepjen më armë zjarri është 24 vjeçari nga Kosova, Ardian J., për të cilin tashmë është lëshuar një fletë arresti ndërkombëtar.