Zbulohet celula e një grupi islamik në Kirgizi

Zyrtarët e Kirgizisë njoftuan se është zbuluar një celulë e grupit të ndaluar islamik, Hizb ut-Tahrir, në rajonin jugor Xhalal-Abad.

Bota

23/03/2015 20:09

Komiteti shtetëror i Kirgizisë për sigurinë kombëtare tha sot se disa banorë të qarkut Suzak janë arrestuar të dyshuar se janë pjesëtarë të grupit.

Sipas këtij komiteti, të dyshuarit kishin lidhje me organizatat esktremiste që vepron jashtë vendit.

Numri i saktë i të arrestuarve dhe identiteti i tyre nuk është zbuluar.

Gjatë muajve të fundit, në Kirgizi janë shtuar raportet për arrestimin e pjesëtarëve të grupit Hizb ut-Tahrir dhe grupeve të tjera të ndaluara islamike.

Autoritetet kirgize thanë se ky grup është pjesë e strategjisë së al-Kaidës dhe militantëve të Shtetit Islamik për t’i radikalizuar njerëzit e rinj dhe për t’i rekrutuar ata për luftëra në Siri dhe Irak.

Grupi Hizb ut-Tahrir, që është i ndaluar në Azinë Qendrore dhe në Rusi, thotë se është paqësor.