Ymeri: Thaçi vizat po i përdorë për ta kontrabanduar Demarkacionin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri fajëson presidentin e Kosovës Hashim Thaçin për mos liberalizim të vizave.

Lajme

23/05/2016 15:44

Ndërsa, lideri i VV-së thotë se tash ai po i përdorë vizat për ta kontrabanduar një marrëveshje që sipas tij është e dëmshme për Kosovën.

“Së paku prej vitit 2012, Kosovës i refuzohet liberalizimi i vizave për shkak të shkallës së lartë të krimit e të korrupsionit”.

“Hashim Thaçi, si bartësi kryesor gjatë këtyre viteve i krimit dhe korrupsionit, asnjëherë nuk e kishte vendosur liberalizimin e vizave mbi interesin e tij personal. Për të, sovranitetit shtetëror, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, asnjëherë nuk kanë qenë më të rëndësishme se sa ruajtja dhe rritja e pushtetit dhe pasurisë së tij private”.

“Sot, ai paraqitet gjoja si president që do të bëj çmos për të arritur liberalizimin e vizave, apo siç e quan ai “vizionin tonë evropian për liberalizim!”. Thaçi po tingëllon i ekzaltuar. Për të procesi për liberalizim është bërë i përdorshëm për ta kontrabanduar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Nuk ka ekzaltim të njëjtë në publik për kushtin tjetër që lidhet me intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Në të vërtetë këtë kusht Thaçi e ka bezdi. Prandaj flet vetëm për demarkacionin”.

Ymeri thotë se Thaçi me këtë po dëshiron ta mbyll faktin se i ka falur Malit të Zi 8200 hektarë tokë.

“Për të personalisht më me rëndësi është bërë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion, të cilën vet e ka udhëhequr dhe e ka nënshkruar, dhe kështu për të shpëtuar personalisht nga fakti që i ka falur mbi 8200 hektarë tokë të Kosovës, se sa nëse qytetarët e vendit tonë do të mund të kenë lehtësira udhëtimi në zonën Shengen”. /lajmi.net