Ymeri pas rrëfimit të Krasniqit: Kriminelët e luftës duhet të marrin dënimin e meritur

Vasfije Krasniqi-Goodman, theu heshtjen e 20 mijë personave të dhunuara gjatë luftës së saj në Kosovë.

Lajme

17/10/2018 11:46

Vasfije Krasniqi-Goodman, është njëra nga viktimat seksuale të luftës së fundit në Kosovë, raporton lajmi.net.

Mirëpo, ajo mbrëmë për herë të parë u rrëfye para publikut, kështu duke thyer heshtjen e 20 mijë personave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pas rrëfimit të saj, ajo mori mbështetje nga të gjithë për guximin dhe thyerjen e heshtjes në shoqërinë kosovare për këtë temë, raporton lajmi.net.

Atë e përgëzoi për guximin e saj edhe deputeti i PSD-së, Visar Ymeri.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka shkruar, se rrëfimi i Vasfije Krasniqi-Goodman ishte tronditës.

Sipas tij, askush nuk duhet të hesht para këtij krimi që ka bërë Serbia dhe se të gjithë kriminelët e në veçanti ata që ushtruan dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë duhet të dënohen dhe të marrin dënimin e merituar, shkruan lajmi.net.

Postimi i plotë i Ymerit pa ndërhyrje:

Rrëfimi i Vasfije Krasniqi Goodman ishte tronditës. Aq më tepër për shkak se Vasfija na tregoi atë që e dinim, e që nuk e kishim guximin ta flisnim si shoqëri.

Dhuna sistematike seksuale e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës ka qenë e orkestruar dhe e organizuar nga shteti serb nën regjimin e Milosheviqit (ai të cilin Vuçiqi e quajti Lider me ide të mira). Kjo ka pasur për qëllim ta godas drejtpërdrejt stofin shoqëror në Kosovë.

Refuzimi i diskutimit për këtë dhunë nuk bën asgjë përveç se e përmbush një pjesë të atij qëllimi. Ky refuzim kaq afatgjatë për të diskutuar për këtë krim i ka lënë viktimat e dhunës seksuale në agoninë e përhershme të dhimbjes e vuajtjes si pasojë e këtij krimi.

Ne nuk duhet të turpërohemi nga krimet që na i ka bërë Serbia. Për to duhet të insistojmë në drejtësi.

Nobeli për Paqe këtë vit i është ndarë Denis Mukëege dhe Nadia Murad për përpjekjet e tyre që ta ndalojnë përdorimin e dhunës seksuale si armë në luftë. Nadia edhe vet është viktimë e dhunës seksuale, ndërsa Denis si gjinekolog është marrë me shërimin dhe risocializimin e viktimave. Ky çmim e sjellë këtë lloj makabër të krimit në qendër të vëmendjes globale.

Gjithsesi Republika e Kosovës duhet ta tregojë të vërtetën e vet. Duhet të këmbëngulim që për këtë lloj krimi Serbia të jap përgjegjësi të veçantë. Duhet të këmbëngulim që të ketë gjykime e dënime të veçanta. Kriminelët e luftës, e veçanërisht këta lloj kriminelësh, duhen domosdoshmërisht ta marrin dënimin e merituar. /Lajmi.net/