Xhihadisti kosovar që tentoi t’i bashkohej ISIS-it: Jam penduar

24 vjeçari, Mentor Zejnullahu nga fshati Tërpezë i Vitisë i cili është arrestuar të shtunën në aeroportin e Rinasit në Tiranë derisa po nisej për në Turqi dhe me qëllimin që prej andej të kalonte në Siri dhe të bashkohej me organizatën ISIS, është penduar për këtë veprim. 

Lajme

31/08/2014 20:24

Mentori tash thotë se është penduar që kishte tentuar të shkonte të luftonte përkrahë organizatës terroriste ISIS.

Ai ka thënë se më asnjëherë nuk do të tentojë t’i bashkohet kësaj organizate.

Mentori për KTV ka thënë se me pjesëtarë i kësaj organizate terroriste kishte rënë në kontakt përmes rrjeteve sociale, derisa pohon se nuk i di emrat e tyre pasi që ai thotë se ata kanë nofka të veçanta.

Babi i tij, Bafti Zejnullahu shprehet i lumtur që djali i tij është kthyer shëndosh e mirë në shtëpi dhe për këtë gjë falënderon Policinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Ai ka thënë se djali i tij Mentori nuk kishte shprehur asnjëherë agresivitet dhe nuk kishte dhënë ndonjë paralajmërim të tillë.

“E di që falej po nuk ka qenë kurrë agresiv kundrejt askujt. Unë nuk e di se si ka ndodhur kjo.  Askush nuk e ka menduar se ai do t’i bëjë këto veprime”.

Babai i tij tregon se disa ditë para se të nisej, ai i kishte dhënë para Mentorit pasi që ai i kishte thënë se do të shkonte në pushime në bregdetin shqiptar.

“Ai më ka thënë se ka për të shkuar në deti në Shqipëri për pushim, bile edhe do para ia pata dhënë, nja 60-70 euro”, ka thënë Zejnullahu.