VV po e “kap” kryeqytetin, akomodon bashkëshortin e deputetes Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë dhe vazhdon të jetë më kritikja ndaj qeverisë, duke i akuzuar partitë që drejtojnë me të se e kanë kapur shtetin, duke vendosur militant partiak si drejtues në ndërmarrjet publike. Por kur vjen puna që Vetëvendosje të fitojë fuqi ekzekutive, nuk është se vendos ndryshe nga ata që i kritikon. 

Lajme

17/01/2015 16:29

Partia e drejtuar nga Albin Kurti, tani qeverisë me Prishtinën, dhe në shumicën e bordeve të ndërmarrjeve publike ka dërguar njerëz të saj. Ndërsa në kompaninë publike “Pastrimi” ka emëruar për drejtor ekzekutiv, Alban Krasniqin, ish kandidat për kryetar të Malishevës dhe bashkëshoriti i deputetes Albulena Haxhiu. 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ditë më parë ka marrë vendim për shkarkimin nga puna të drejtorit të kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu. Ahmeti ka theksuar se vendimi i tij është valid.  

E pas kësaj kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu ka reaguar përmes një komunikate për shtyp ku ka theksuar se pas të gjitha veprimeve të kryetarit Shpend Ahmeti, veprimi i aksionarit të Komunës së Prishtinës Genc Sherifi , Drejtorit të Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës z. Ardian Gashi, Alban Krasniqi, Fadil Gashi aksionar i Komunës së Prishtinës dhe Bardhyl Noci ,anëtar i Bordit të Drejtorëve të KRM “Pastrimi” zgjedhur nga Komuna e Prishtinës, të cilët kërkuan shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv Feim Salihut, janë të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin mbi Ndërmarrjet Publike. 

E menjëherë pas kësaj Alban Krasniqi i cili ishte kandidat për kryetar të komunës së Malishevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, një herësh edhe bashkëshorti i deputetes së VV-së Albulena Haxhiut është emëruar si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në kompaninë “Pastrimi”. 

Zëdhënësja në komunë e Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë për Indeksonline, se Krasniqi është emëruar në këtë pozitë nga bordi i kompanisë “Pastrimi”. 

“Alban Krasniqi është emëruar ushtrues detyre prej bordit të kompanisë “Pastrimi”, ka thënë Mullafazliu. 

Kryeshefi Feim Salihu e ka mohuar që Alban Krasniqi të jetë zgjedhur në këtë pozitë nga bordi i kompanisë “Pastrimi”. 

“Bordi nuk e ka zgjedhur. Me datë 23 të këtij muaji do të kemi një mbledhje të rregullt ku do të vendoset çdo gjë. Unë e di që Naser Selmani është kryetar i bordit. Këto kontabandime që po bëhen për zgjedhjen e tij si drejtor unë nuk i njohë. Le të mblidhet bordi dhe të diskutohet nëse mua më thonë shko unë nesër e lë pozitën time”, ka thënë Salihu. 

E zgjedhja e drejtorit të ri sipas Mullafazliut pritet të bëhet pas hapjes së konkursit nga bordi i kompanisë. (indeksonline)