VV nuk ndryshon qëndrim për Malin e Zi: Më e pakta që kemi mundur të bëjmë

Vetëvendosje nuk pendohet për veprimin e saj me Malin e Zi, derisa vazhdon të theksoj se vendosja e tabelës së Kosovës ka qenë akt simbolik dhe më e pakta që ka mundur të bëjë.

Lajme

30/06/2016 20:29

Shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca thotë se Mali i Zi ka filluar të provokoj situatën në këtë pjesë 12 vjet më parë.

“Fillimisht ka hyrë në territorin e Kosovës 2 kilometra, pastaj ka vendosur tabela. Këtë e ka bërë shteti i Malit të Zi, Qeveria e Malit të Zi dhe Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka dërguar as notë proteste as nuk ka reaguar me veprime konkrete kundër këtyre veprimeve të Malit të Zi dhe unë mendoj se këto e tensionojnë situatën në të vërtetë”, tha Konjufca.

Ndërkohë Kosova i është përgjigjur Malit të Zi pas reagimit të shtetit fqinj. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se reagimi nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe Integrimit Evropian e Malit të Zi, ka qenë i ngutshëm dhe pa ndonjë arsye serioze për tu shqetësuar sa i përket raporteve tona të ndërsjella.