VV e Gjermanisë do të protestojë në Berlin kundër Qeverisë së Kosovës

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, përmes një komunikate sonte, ka njoftuar se në një tubim me bashkatdhetarë në Hagen ka vendosur të organizojë protestë, të shtunën e ardhshme, më 19 dhjetor, kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Lajme

13/12/2015 19:08

“Në tubim u diskutua për dëmet që shkaktojnë marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Po ashtu pjesëmarrësit debatuan për angazhimin e mërgatës shqiptare në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve.

Bashkatdhetarët ishin tejet të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk e mbron Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht e lufton opozitën në mënyrë brutale duke keqpërdorur policinë dhe duke arrestuar të zgjedhurit e popullit.

Në takim pjesëmarrësit u informuan se të shtunën më 19 dhjetor në ora 15:00 para Ambasadës të Republikës së Kosovës në Berlin organizohet protestë kundër këtyre marrëveshjeve. Nga Hageni nisja bëhet në mënyrë të organizuar dhe udhëtimi është falas”, njoftoi VV.