VV akuzon Isën me të birin për shantazh

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur publikisht shqetësimin e saj për një pengesë të kundërligjshme gjatë fushatës elektorale, e cila po bëhet nën ndikimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, konkretisht shantazhet, që sipas saj po ia bën Isa Mustafa dhe djali i tij me “kompaninë e billbordëve”

Lajme

30/05/2014 17:17

“Kompania AMM, me të cilën ne kemi lidhur kontratë  për marrjen me qira të hapësirës për billboard dhe vendosjen e tyre gjatë fushatës zgjedhore, për arsye politike po e shkel këtë kontratë në mënyrë të parregullt”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tre ditë më parë, kur i kemi dërguar billboardët tanë te kjo kompani, jemi kontaktuar nga zyrtarë të LDK-së të cilët kanë kërkuar nga ne që mos t\’i vendosim disa nga billboardët tanë”.

“Pra, kompania në fjalë është konsultuar paraprakisht me zyrtarë të LDK-së për billboardët e subjektit tonë. Dy orë pas takimit me zyrtarët e LDK-së nga kompania AMM na kanë thënë se nuk munden të vendosin billboard ku përmendet ‘Klani Hamitik; “Djali i Isës’; ‘Thaçi&Co’; dhe ‘Xhabir Muja’”.

“Ne e kundërshtuam këtë mospranim, pasi nuk është i ligjshëm, dhe kemi në plan ta ndjekim këtë thyerje të kontratës edhe në rrugë ligjore. Por, kërkesa e LDK-së duhet të ketë qenë nga ato kërkesa që ‘vështirë se refuzohen’, edhe pse kërkohet thyerja e kontratës, që është njëkohësisht thyerje e ligjit”.

Vetëvendosje ka njoftuar se gjatë ditës së enjte i ka ngjitur këto billboardë në vendet që i takojnë, sipas kontratës.

“Por të premten (sot), kompania, e cila tashmë është kthyer në një vegël mbrojtëse të ish-kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i ka hequr sërish billboardët ku përmendej ‘djali i Isës’, ‘Klani Hamiti’; etj”.

“Me sa duket LDK-ja ka vendosur të hyjë në këto zgjedhje pa histori e pa të shkuar, njësoj siç po bën dhe simotra e tyre, PDK-ja”, thuhet në komunikatë.

“LDK-ja po shpreson që qytetarët të harrojnë ngjarjet e vjetra e të reja, dhe po e ndihmon këtë ‘harresë’ përmes një veprimi të pandershëm, në panik e sipër, duke shfrytëzuar fijet e saj të padukshme për të kontrolluar kompanitë private e për t’i detyruar ato që të shkelin kontratat me Lëvizjen. Por, me këto tentativa LDK-ja vetëm sa po bën të mundur izolimin dhe mbetjen e saj ‘vetëm’, siç e ka edhe në slogan”.

“Tash Lëvizja Vetëvendosje bashkë me qytetarët e Kosovës do të bashkohen për ta realizuar ndryshimin. Kjo arrihet me heqjen nga pushteti këto forca që kanë qeverisur bashkë, kanë qeverisur njësoj, dhe janë njësoj të dëmshme për ligjshmërinë, për drejtësinë dhe për zhvillimin e vendit. Tash shpresën dhe të ardhmen e drejtë do ta ndërtojmë bashkë, me Lëvizjen dhe me të gjithë ju”, thuhet në komunikatën e VV-së.