Vritet një person në Shalë të Lipjanit

Një banor i fshatit Shalë nga Komuna e Lipjanit, ka humbur jetën pas plagëve të marra të shkaktuara nga arma zjarri. Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, dy persona të dyshuar për këtë rast janë dërguar në mbajtje.

Lajme

30/08/2014 13:01

Një person nga fshati Shalë i Lipjanit, ka humbur jetën pas plagëve të marrë nga armë zjarri.

Siç njofton policia e Kosovës, viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Policia ka njoftuar se i dyshuari për këtë rast është arrestuar i cili, po ashtu ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkaka të gjendjes jo të mirë që ka pasur pas rastit të ndodhur.

“Viktima ishte dërguar në QKMF-Drenas dhe më pas është dërguar në QKUK ku nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Ndërsa, i dyshuari ka pranuar tretman mjekësor në QKUK pasi që ishte i shqetësuar-tronditur lidhur me rastin e ndodhur, më pas i njëjtit është arrestuar”.

“Policia  në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar revolen prodhim ‘Çekosllovak’, trembëdhjetë fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator, dhe një gëzhojë”.

“Arma e konfiskuar, dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast. Po ashtu, edhe babai i të dyshuarit, është arrestuar pasi që arma ishte pronë e tij dhe ndaj tij është hapur rast “Posedim i paautorizuar i armës”.

“Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar nga njësiti përkatës policor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.