Vrasja në Bllok: Bishti i cigares ‘tradhtoi’ vrasësin Jani Alia

Policia ra në gjurmët e vrasësit të Elton çiços nga disa shenja që lanë autorët, përmes të cilave nuk do ta kishte marrë mendja kurrë se do zbulohen. Shqiptarja.com e cila u referohet burimeve nga policia shkruan se autori u gjet pasi u bë ADN-ja e bishtit të cigares që ai kishte hedhur jo larg nga vendi i ngjarjes.

Lajme

25/05/2016 15:25

Bishti i cigares është gjetur nga ekspertët bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve mbi lëvizjet e mundshme të autorëve të krimit para apo pas ngjarjes. Nga rrëfimet e dëshmitarëve është mësuar se personi që dyshohej se kishte kryer vrasjen, kishte zbritur nga një veturë “Ford” fokus me ngjyrë të zezë.

Në momentin e zbritjes personi hodhi një cigare pasi e kishte thithur. Kjo cigare është marrë dhe analizuar nga ekspertët për për gjetjen e kampioneve biologjike të pështymës.

Pas analizimit të kampioneve të saj dhe krahasimit të të dhënave të ADN- së së Jani Alisë që ishin administruar më parë nga policia, u konfirmua se personi që kishte qëlluar mbi Elton Çiçën ishte pikërisht ai. Analiza janë bërë po ashtu edhe me kampione të djersës së gjetur në rrobat e Jani Alisë, të gjetura në banesën e këtij të fundit, në rrugën e Kavajës.

Ndërkaq hetuesit kanë konfirmuar se mjeti i përdorur për krimin, është blerë nga Renato Milloshi, dy ditë para ngjarjes, pikërisht për të kryer atentatin ndaj Elton Çiçës.

Djali i ish- kryetarit të partisë komuniste të Shqipërisë Hysni Milloshi, doli në skenë si njeri që kishte ndihmuar Alinë, nisur nga lidhjet dhe njohjet që kishte me të. Shkak për vrasjen sipas policisë është identifikuar një konflikt i vjetër që të dy personat kanë pasur shumë vite më parë, që kur ata ishin në burg në Greqi.

Veç djalit të Hysni Milloshit, Renato Milloshit dhe Jani Alisë, policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur nga policia.