Votohet heqja e  romingut për thirrje telefonike mes Kosovës dhe Shqipërisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar rezolutën e paraqitur nga deputetët e Partisë Social Demokrate, për heqjen e romingut për thirrje telefonike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajme

30/05/2018 12:51

69 deputetë votuan për kësaj rezolute, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Këtë rezolutë e përkrahi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili në emër të Qeverisë premtoi zbatimin e saj.

Gjatë diskutimit të Propozim-rezolutës për heqjen e romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Dardan Sejdiu, në emër të GP të PSD-së, ka theksuar se heqja e romingut mes dy vendeve rritë bashkëpunimin tregtar dhe ul shpenzimet për qytetarët.

“Heqja e romingut me Shqipërinë rritë intensitetin e komunikimit mes qytetarëve dhe bashkëpunimin tregtar. Kjo iniciativë është në rregull pasi që dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për këtë gjë. Ekziston një vullnet i AKEPIT-it (Agjenci për Komunikim e Shqipërisë) të heqim tarifat e romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Sejdiu.

Dardan Molliqaj, parashtruesi i rezolutës, tha se heqja e romingut me Shqipërinë do të rrisë komunikimin mes vendeve dhe do ul koston e qytetarëve të Kosovës.

“Rezoluta përmban:

– Qeveria të nisë procedurat për arritjen e marrëveshjes për heqjen e tarifave të romingut;

– Themelimi i komsionit Qeveri-Kuvend për eliminimin total të tarifave;

– Anëtarët e komisionit të jenë përfaqësues të partive politike që janë deputetë në këtë legjislaturë;

– ARKEP DHE AKEP të përkujdeset për implementimin e programeve.

– Komisioni i përbashkët të raportojë në Kuvend për arritjen e marrëveshjes pas 2 muajsh që është miratuar kjo rezolutë”.

Mimoza Kusari-Lila, në emër të GP LDK-së, tha se kjo parti e mbështet këtë rezolutë por, sipas saj, duhet të punohet që kjo iniciativë të gjejë zbatimin e duhur e jo të mbetet si marrëveshje e pazbatueshme.

“E mbështesim këtë iniciativë të GP të PSD-së. Uroj që kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim mos të jetë në mesin e bashkëpunimeve që janë shprehë në raportet mes dy qeverive, për vullnetin që shprehin dy qeveritë, por nuk kanë gjetur zbatim”.

Memli Krasniqi, në emër të GP të PDK-së, tha se edhe kjo parti e mbështet këtë inciativë.

“Heqja e barrierave për roming me Shqipërinë do ndikonte edhe në heqjen e barrierave edhe me vendet e tjera. Integrimi i tregjeve të komunikimit duhet të ndodh jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe me BE-në”.

Muharrem Nitaj, në emër të GP të AAK-së, tha se e mbështesin këtë iniciativë.

Milaim Zeka, në emër të GP të Nismës, tha se e mbështesin këtë inciativë duke thënë se kompania Vala

Krejt në fund, zv.kryeministri Enver Hoxhaj  iu drejtua deputetëve duke thënë se vetëm votojeni ju se do të ketë zbatim sa më të shpejtë. /Lajmi.net/