Votohet edhe në qarqe, probleme sporadike

Procesi i votimit po zhvillohet edhe në qarqet e vendit. Nga të dhënat e fundit rezulton se në Korçë nuk ka patur asnjë problem.

Lajme

25/06/2017 08:35

Ndërkohë, rreth 3 mijë persona, kryesisht emigrantë që kthehen për të votuar, kanë hyrë në vend përmes pikës së kalimit të Kapshticës.

Në fshatin Sheqeras persona të paautorizuar kanë hyrë në një qendër votimi, ndërsa në Vreshtas është ngatërruar lista. Në fshatin Veliterne votimi është bllokuar për shkak të verifikimit të votimit familjar.

Probleme të vogla janë verifikuar në Shkodër, ku LSI ka deklaruar se identiteti i një komisioneri të Partisë Demokratike se nuk përputhet me atë që ndodhet në materialet zgjedhore.

Ndërkohë, në Fier në dy qendra nuk ka nisur ende procesi i votimit. Ndërsa në Durrës, qendra 96/1 është bllokuar për shkak të një problemi me komisionerët.

Në Elbasan situata është e qetë. Votimi ka nisur pas faljes së Namazit dhe besimtarët kanë qenë të prirur për të shkuar drejt votimeve.

Edhe në Vlorë po votohet. Situata paraqitet e qetë dhe normale e po ashtu në Sarandë e Himarë.

Nga dega e LSI në Sarandë ka patur një akuzë ndaj Partisë Socialiste se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka kryer blerje votash duke lëvizur në rang qarku me një furgon.

Drejtoria e Policisë së Vlorës ka reaguar duke përgënjeshtruar lajmin dhe sqaruar se, furgoni shërbente për të shpërndarë efektivët në qendrat e votimit.

Ndërkohë, në fshatin Shendelli është gjetur një makinë tip “Mercedes” i shkatërruar, pronari i të cilës thotë se është nga radhët e LSI-së dhe djalin e ka komisioner.

Gjithësesi, pritet që hetimet të zbardhin nëse ky incident ka lidhje me zgjedhjet./ Top Channel