Vota historike për kryedështakët – Lajmi.net
Vota historike për kryedështakët
Autori: Lajmi.net Op-EdOpinion 11:18, 25 September 2017
ELEKTORALE I – Maqedoni / BDI dhe Aleanca do të fitojnë komuna. PDSH maksimalisht e eventualisht një. Besa asnjë. Edhe po të dalë ndryshe këto zgjedhje do të jenë fshesa, e cila disa parti do t’i detyrojë të hedhin shaminë e disa tjera të nisin përgatitjet për ceremoninë e lamtumirës së fundit. Pra për votuesit, as kësaj radhe nuk ndryshon asgjë. Ose ndryshon diçka nëse ata përshpejtojnë me vetëdije spastrimin e politikës së tyre nga fuqitë destruktive që i mbajnë peng tash e me dekada.

Xhemal AHMETI

Cilat parti janë të votueshme dhe cilat jo?
Ky vlerësim natyrisht se është bërë nga perspektiva e analizës dhe informatave personale nga terreni dhe nuk synon profecinë, atë se çka do të ndodhë definitivisht.
Elektori shqiptar në Maqedoni gabon historikisht ngase voton përherë në sajë të interesave të ngushta apo në bazë të lidhjeve e privilegjeve personale. Deri më tani zgjedhësit vazhdimisht kanë vetëmohuar interesat e tyre duke mos ndëshkuar partitë e dëmshme për t’iu hap rrugë të rejave, që këto pastaj të ndryshojnë vertikalisht. Është e vërtetë ajo që thotë nacionalisti refraktar Nikolla Gruevski në intervistën e tij në KlanKosova: dështimet më të mëdha të shqiptarëve atje vijnë nga paaftësia e palës shqiptare për të ofruar kuadro dhe për të realizuar projektet. Nuk është pra vetëm diskriminimi etnokratik – më së paku do të ndikonte kjo me një front të fortë shqiptar – që ka dëmtuar kaq rëndë shqiptarët.
Në sajë të vlerësimit të punës së tyre të deritanishme, cilat parti pra meritojnë votën e cilat hiç, me kusht apo vetëm sa për t’i dërguar përtej.
(Paraprakisht: partitë e bllokut tjetër nuk janë të votueshme pa një kontratë bazike shqiptaro-tjerët për të drejtat themelore. Vota që iu dha LSDM –së doli e djegur ashtu edhe siç u parapa. Zaev tallet me shqiptarët.)

 

  1. BDI nuk e meriton në asnjë mënyrë votën:
    Është përgjegjësja kryesore për dështimin e shqiptarëve në Maqedoni. Shumica e funksionarëve që ka futur në qeveri kanë qenë mediokër dhe të korruptueshëm. Aktualisht njerëzit nëpër ministri nuk janë të aftë as si drejtorë ujësjellësi nëpër katunde e lere më për më shumë. Nuk luftoi aspak për implementimin e MO. Nëpër komuna pati njerëz në krye që nga zhvatja u bënë milionerë, madje edhe duke marrë pare të papastra nga Turqia dhe gjithandej në dëm të popullatës aty. Njerëzit e saj kanë pasuruar veten me mito dhe duke marrë provizione për çdo biznes dhe për çdo dokument. BDI është përgjegjësja kryesore për dështimin e shkollave shqipe. Kjo parti ka hyrë në garë me tjerat jo se ç’projektesh ka, por se do t’i zhvat Turqisë më shumë ndihma se sa që mund të bëjë organizata „Besa“. Vota për këtë parti është edhe një shkallë mëtej drejt ferrit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve.

 

  1. BESA nuk e meriton aspak votën:
    Përveç burimeve financiare që janë pa asnjë dilemë provizione nga paralarja dhe ndërmjetësimi gjatë shitjeve të objekteve kulturore shqiptare Katarit e Turqisë, ajo ka përfituar shumë edhe duke zhvatur financa nga organizatat e bamirësisë dhe atyre që mëtojnë të përhapin radikalizmin fetar në Maqedoni. Nga ana tjetër që nga shfaqja e saj ajo ka vetëm një veprimtari konkrete dhe efektive: sabotimin e kërkesave shqiptare, nxitjen e konflikteve ndëretnike; instrumentalizimin e religjionit për vota dhe deformimin kulturor të shqiptarëve.
    Është njëra nga përgjegjëset kryesore për mbajtjen në shpartallim të faktorit shqiptar që me të të tallet Zoran Zaev apo Nikolla Gruevski. Vota për këtë parti mund të ndihmojë shtetet tjera për të shtuar ndonjë ndikim në Maqedoni, shqiptarëve mirëpo assesi!

 

  1. PDSH le t’i jepet lamtumira!
    Partia e Menduh Thaçit nuk do të ringjallet më. Natyrisht se do ishte mirë që kjo të ikte në tandem bashkë me BDI-në, por ja që edhe në ikje prinë. Në terren vetëm ata që s’dinë ku shkojnë tjetër kanë mbetur në këtë parti. As aksioni i përvetësimit të ish financuesve destruktiv të “Besës” nuk do ti ndihmojë më PDSH-së të zë vend diku. Nuk arriti ta kapërcejë veten Menduh Thaçi dhe këtyre zgjedhjeve si duket ai do të detyrohet përfundimisht ta hedhë shaminë. Nuk meriton votë se digjet poaq sikur t’ia japish ndonjë partie joshqiptare.

 

  1. RDK-të – Asnjë votë për multipërçarësit!
    Përçarja është virusi më prezent i partive shqiptare; qoftë përbrenda e qoftë për të këputur shpresat e votuesve të vetë në relacion ne shtetin dhe shumicën tjetër. Ka dy RDK njëra në kuadër të Besës dhe njëra në kuadër të Aleancës për Shqiptarë. Të parët përçanë RDK-në, të dytët i kanë hy misionit për ta përçarë Aleancën për Shqiptarë. Ishte ky predestinim i partisë së krijuar nga Rufi Osmani? Edhe ky reagoi se është i përçarë me dy krahët e tij. Pra kjo miniparti që pa tjerat nuk mbijeton dot do të zhduket më së vonti në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Njerëzit e RDK-së, pavarësisht adresës ku gjinden, janë pas “Besës” përgjegjësit e dyte kryesorë për destabilizimin dhe përçarjen e faktorit shqiptar. Çuditërisht se pse në valle të këtyre rri lapidar edhe ish gjenerali Ostreni me Unitetin e tij. Vlen në këtë rast kjo: tu japish këtyre votë është sikur të duash me paramendim autofashizmin, por për çka? Për asgjë.

 

  1. Aleanca për Shqiptarë – votë me kusht!
    Për shkak të biografisë së pastër ende dhe për shkak se është e vetmja që ofron kuadro serioze aty ku merr pjesë në pushtet, Aleanca e Zijadin Selës gjendet në avanc. Megjithatë shumica ende nuk kanë krijuar besimin e nevojshëm për ta votuar. Kjo për shkak të disa gabimeve që i bëri partia në Pollog si dhe për shkak të kontestit me emrin e partisë në luftë me RDK-të. Ajo nuk do të fitojë masivisht, ngase hierarkia e saj më shumë merret me luftën e brendshme se sa në rekrutimin kualitativ të njerëzve të paktë që vërtet kanë kapacitete për reforma në arsim, shëndetësi dhe të drejta politiko-kulturore të shqiptarëve. Deri në zgjedhjet e ardhshme nacionale kjo parti ose ia del që të mbijetojë  ose ishte poaq sezonale si tjerat dhe kjo donë të thotë: Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë rrugëdalje, pa e krijuar një alternativë të fortë për zëvendësimin e këtyre në ikje. Përkundër gjitha këtyre Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës është e vetmja së cilës mund t’ia japish veten pa e ndier veten poaq destruktiv e të korruptuar si shumica e njerëzve të partive tjera.

 

Votën e meriton me kusht pra vetëm Aleanca për Shqiptarë. Partitë tjera vetëm se do të bëjnë dëme edhe më shumë se deri tash. Janë nga natyra të paradështuara. Këtë e dinë çdokush që 5 minuta para votimit, ndalet, merr frymë dhe mendon me trurin e vetë. Ajo e meriton votën jo se është më adekuatja, kështu siç është, porse është ajo që së paku nuk sjell dëme si tjerat dhe në të cilën mund të shpresohet se ia del, pa tjetërsuar shqiptarët, pa rritur edhe më korrupsionin dhe pa mbyllur edhe shpresat e fundit të njerëzve aty se mund të ëndërrojnë në ndonjë perspektivë.
Çdo votim ndryshe është legal, demokratik por prodhon mesazhin: as që duam ndryshe se jemi gjithë njëjtë si partitë si masat! E nëse është kështu atëherë as Zotat nuk ndihmojnë dot. Kjo edhe do të shpjegonte se pse njerëzit votojnë me dekada për kryedështakët e tyre.

 

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bubble Trouble
  • Play Bow Master
  • Play iStunt 2
  • Play World Soccer Champion