Vlera themelore politike e Kosovës

Ra rrëfimi për Liberalizimin e vizave, i cili bëri bashkë Kosovën me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Turqinë, për të kuptuar sa i pastër është rasti i Kosovës kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Paktin NATO dhe me BE-në.

Opinion

10/06/2016 14:50

Çka kanë të përbashkët Kosova, Ukraina, Gjeorgjia dhe Turqia?

Natyrisht, e para gjë që të bie ndërmend, mbase, edhe e fundit, tek vrojtuesit e rëndomtë të zhvillimeve në Kosovë dhe në Evropë është fakti që, në rrethanat të cilat janë pak a shumë të njohura për të gjithë ne, Kosova u gjet në një grup shtetesh, tok me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Turqinë, i cili grup brenda një periudhe kohore që matet me pak muaj, do të duhej të përmbyllte hartën e Zonës së Schengenit, apo të qarkullimit të lirë të qytetarëve të shteteve që janë pjesë e saj.

Objektivisht, pakçka tjetër e përbashkët, që ka rëndësi të veçantë, do të mund të gjendej në mes të Kosovës dhe këtyre tri shteteve të tjera. Ky konkludim vlen veçmas nëse këtu flitet për perspektivën e këtyre katër shteteve për tu bërë pjesë përbërëse e strukturave kyç të Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së, çfarë janë Pakti NATO dhe Bashkimi Evropian.

Turqia është qëmoti pjesë përbërëse e Paktit NATO, por gjasat që ky shtet, së paku në një të ardhme afatmesme, të bëhet pjesë e BE-së janë të thuash inekzistente. Dihet pse.

Ukraina dhe Gjeorgjia do ta kenë të pamundur, sërish nëse kjo mundësi matet me së paku një decenie të kohës politike dhe historike, të bëhen pjesë e Paktit NATO, midis tjerash, jo vetëm pse këtë gjë e kundërshton Federata e Rusisë, por sepse Rusia është e pranishme brenda territorit të këtyre dy shteteve. Nuk shihet se si dhe kur Rusia do ta braktisë territorin e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë.

Nuk duket që në këtë rast mund të flitet as për një perspektivë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pra, nëse këtu kihen parasysh një Tabllo më e plotë strategjike që përkon me këto katër shtete, çuditërisht del që Kosova i ka punët më së miri, apo që Kosova e ka realisht, të përmbyllur atë perspektivën strategjike politike.

Për shkaqe të shumta, midis tjerash, edhe sepse këndejpari ende kemi një Mision ushtarak të Paktit NATO  (KFOR-in), dhe duke marrë parasysh pozicionin gjeografik, Kosova e ka të sigurt ardhmëninë në Paktin NATO. Është kjo një dëshirë dhe synim i dyanshëm: I Prishtinë dhe i Brukselit  (mbi të gjitha, i Washingtonit). Orientimi proamerikan i Kosovës  (ku dihet që Kosova mbetet kampione në këtë aspekt, në nivel të shteteve në Botë), por edhe rëndësia gjeo-strategjike e kësaj pjese të Evropës, e cila do të konfirmohet së shpejti, me pranimin e Malit të Zi në Paktin NATO, gjithsesi do të shprehet edhe me drejtimin e Kosovës për tu bërë sa më parë që është e mundur, anëtare e Paktit NATO. Këtu nuk ka kurrfarë sekreti për askë, as në rajon, dhe as më gjërë.

Në anën tjetër, nuk ka aspak dyshime se Kosova ka një orientim dhe një perspektivë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo zatën shihet qartë edhe në fjalën hyrëse të MSA-së  (Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit), midis Kosovës dhe Komisionit Evropian. Me Kosovën rrumbullakësohet harta e BE-së në Ballkanin Perëndimor, mbase, edhe më gjerë, apo, Kosova do të jetë shteti i fundit që në një të ardhme dhjetëvjetëshe, do të bëhet shteti i 34-të anëtarë i BE-së.

Ra pra ky rrëfimi për Liberalizimin e vizave, i cili bëri bashkë Kosovën me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Turqinë, për të kuptuar, në këtë mënyrë se sa i pastër është rasti i Kosovës kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Paktin NATO dhe me BE-në. Në fakt, vetëm në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, nëse këtu flasim për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kemi një situatë të tillë fare të qartë.

Duket që ky identitet krejtësisht i qartë i Kosovës, së paku në rrethanat e tanishme, nuk është një vlerë që çmohet dhe promovohet sa duhet, as këtu në Prishtinë dhe as në Bruksel.

Marrëdhëniet e Prishtinës me Brukselin, janë ende pengji të mungesës së konsensusit në BE  (dhe në Paktin NATO, rrjedhimisht), për njohjen e shtetit të Kosovës, edhe pse të gjithë e dinë që kjo punë ka marrë fund dhe që nuk mund të ketë kthim prapa. Kalimthi këtu mund të thuhet që po të kishte konsensus në BE, dialogu i Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, njëmend do të kishte karakter teknik, dhe synimi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përmbyllej më shpejt, dhe në formë plotësisht të qartë.(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)