Vizita e Thaçit në Ulqin përmes fotografive

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi ka ndaluar edhe në qytetin me shumicë shqiptare, Ulqin. 

Lajme

16/01/2015 20:55

Thaçi, i cili ka udhëtuar me helikopter nga Podgorica në Ulqin, shkaku i masave të sigurisë së ndërmarra nga autoritetet malazeze, në qytetin bregdetar me shumicë shqiptare, është pritur nga qytetarë dhe autoritetet komunale. 

Shefi i diplomacisë kosovare, përveç kryetarit të komunës, Fatmir Gjeka, është takuar edhe me të gjithë përfaqësuesit tjerë të partive politike shqiptare në këtë komunë.

Thaçi në komentin e tij në Facebook, pas kësaj vizite ka thënë se po kthehet nga atje me mbresat më të mira, duke falënderuar ulqinakët për pritjen e përzemërt. 

“Po kthehem për në Kosovë me mbresat më të mira nga takimi i përzemërt që pata në Ulqin me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në trojet e tyre brenda Republikës së Malit të Zi. I falenderoj me përulje gjithë ata ulqinakë të shumtë që dolën rrugës për të më uruar mirëseardhjen. Në emrin tim dhe mbarë Kosovës, u shpreha mirënjohjen e sinqertë për mikpritjen bujare që ata na kanë dhënë gjatë viteve 1998-1999. Bisedova gjithashtu me përfaqësuesit politik të popullit shqiptar në Malin e Zi për gjendjen dhe sfidat me të cilat përballen. I sigurova që teksa jemi duke u konsoliduar, kanë për t’u shtuar ndjeshëm edhe mundësitë edhe përpjekjet e shtetit të Kosovës për të kontribuar në përmirësimin e kushteve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Thaçi. (lajmi.net)