Viza me afishe të re për të huajt

Nga 15 prilli, Kosova do të aplikojë viza me siguri të lartë. Kjo iniciativë, sipas MPJ-së, është pjesë e përpjekjeve për të ofruar shërbime sa më të sigurta konsullore për shtetasit e huaj. Sipas Hoxhajt ky lloj i vizave është i standardeve të zonës Schengen.

Lajme

24/03/2014 17:15

Një vizë e re me elemente të sigurisë së lartë i është prezantuar të hënën ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajt. Kjo vizë, që do të vije me afishe të re, nga 15 prilli i këtij viti dhe do të lëshohet për qytetarët e huaj.

Sipas ministrit Hoxhaj, afishja e re e vizës së Republikës së Kosovës, paraqet një standard të ri dhe shumë të lartë dhe si e tillë kjo ngjarje duhet të kuptohet në dy nivele.

“Së pari, kjo vizë e re i plotëson të gjitha kriteret e zonës Schengen dhe do t’i lëshohet çdo shtetasi të huaj për të hyrë në Republikën e Kosovës nga 15 prilli i këtij viti”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Ai ka theksuar se përdorimi i afishes së re të vizës kosovare, përveç tjerash është edhe përmbushje e kritereve për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Së dyti, kjo vizë e re i ndihmon Kosovës që të përmbush një obligim të rëndësishëm në procesin e liberalizmit të vizave. Unë jam më se i sigurt se në vitin 2014 do të merret një vendim pozitiv me qëllim që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Sistemi i aplikimit për vizë nëpër misionet konsullore të Republikës së Kosovës, ka filluar më 1 korrik të vitit 2013. Për hyrje në Kosovë me të duhet të pajisen qytetarët e 88 shteteve të botës.