Viti ku politika më shumë luftoi për pushtet sesa për shtet

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka vlerësuar se viti 2014 ka qenë viti më i pasuksesshëm për Kosovën. 

Lajme

30/12/2014 10:07

Demaçi ka thënë se lufta e turpshme për pushtet ka qenë ngjarja më e keqe që e ka karakterizuar vitin që lamë pas.

Ndërsa formimin e qeverisë së re, Demaçi e ka cilësuar si ngjarjen më të mirë.

Ai ka paralajmëruar se viti 2015 do të jetë dramatik meqë do të sjellë detyra të mëdha dhe të vështira.

Sipas tij, papjekurinë e shtetit të Kosovës e ka dëshmuar më së miri ngërçi politik.

“Ky ka qenë viti më i pasuksesshëm për Kosovën. Dashtë Zoti e mos na u përsërit më! Më shumë u bë luftë për pushtet sesa për shtet. Ajo që përjetuam për këta gjashtë muajt paraprakë tregoi se nuk jemi pjekur ende. Kështu që, fatkeqësisht kjo tregon papjekurinë tonë. Prandaj, kjo duhet të jetë pika kryesore që duhet të na brengosë të gjithëve”, ka thënë Demaçi në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”.