Vidovdani festë e humbjeve serbe

Azem Vllasi kujton kohën kur ish-Kryetari i Serbisë, Slobodan Millosheviq, po mbante fjalime nacionaliste në festën e Vidovdanit në vitin 1989. Ai thotë se për serbët, kjo festë kryesisht kujton humbjet e tyre historike, por edhe ato aktualet. 

Lajme

28/06/2014 15:05

Festa e Vidovdanit që për serbët përkujton “Betejën e Kosovës”, historikisht ka bërë që ky popull të shpërthejë në ndjenja nacionaliste, duke bërë edhe veprime që kanë nxitur luftëra në Ballkan.

Fjalimi i sh-Kryetarit të ndjerë të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1989 në Kosovë gjatë përvjetorit të gjashtëqind të kësaj beteje, ishte si shkëndijë në luftërat dhjetëvjeçare në rajonin e Ish-Jugosllavisë, ku për pasojë erdhi edhe te shpërbërja e këtij shteti.

Një nga figurat kryesore politike të asaj kohe, dhe ish-kreu i Kosovës, Azem Vllasi, kujton ngjarjet që sollën deri të luftërat e përgjakshme që Serbia bëri në tendencë për t’i pushtuar njësitë tjera federale të ish-Jugosllavisë.

Në një intervistë për lajmi.net, Vllasi tregon nga perspektive e tanishme venitjen e aspiratave serbe, për ta krijuar Serbinë e madhe.

Vllasi përshkruan, siç e quan ai, krekosjen e Millosheviqit në fjalimin e vitit ’89 të shekullit të kaluar, për pushtimin e Kosovës.

Ndërsa, vizita e sotme të Presidentit, Tomislav Nikoliq dhe pjesëmarrjen e tij në Gazimestan dhe në inaugurimin e shtatores së Millosh Obiliqit, në Graçanicë, Vllasi thotë se po bëhet në rrethana tjera politike.

Ai thotë se vetëm Nikoliq mund ta dijë se sa vështirë e ka të kërkojë leje nga autoritetet e shtetit të Kosovës, që ta vizitojë Gazimestanin dhe Graçanicën. Ndërsa, fton policinë dhe qytetarët e Kosovës, që të mos bijnë pre e provokimeve që serbët historikisht i bëjnë ndaj tyre gjatë kësaj feste.

Lajmi.net: Festa e Vidovdanit që shënohet nga serbët në shenjë të përvjetorit të Betejës së Kosovës, është shfrytëzuar disa herë për të nxitur përçarje dhe urrejtje të serbëve ndaj shqiptarëve. Si e cilësoni ju këtë?

Azem Vllasi: Në këtë datë të vitit 1989, unë gjatë ngjarjes në Gazimestan isha në burgun e Mitrovicës me “stazh” prej katër muaj. Më burgosën me shumë Shqiptarë tjerë, gjatë grushtshtetit për rrënimin e pozitës së atëhershme kushtetuese të Kosovës. Në atë kohë isha në konflikt me Millosheviqin dhe politikën e tij antishqiptare më herët. Ai në Gazimestan krekosej duke e festuar pushtimin e dhunshëm të Kosovës. I kishin ardhur aty edhe servilët nga kreu federal duke menduar se Millosheviqi po e feston pushtimin e Kosovës me ndihmën e tyre dhe do të ndalet me aq. Por, ai aty u shpalli luftë edhe të tjerëve nëse do të tentonin që ta ndalnin në avazin por krijimin e “Serbisë së madhe” në rrënojat që përgatiste Jugosllavisë. Dhe e mbajti premtimin.

Atëherë rreziku ishte i madh dhe vërtetë pastaj, për dhjetë vjet ndodhën shumë tragjedi. Jugosllavia u shkatërrua, por “Serbia e madhe” nuk ndodhi.

Sot krekosja e Serbëve me rastin e Vidovdanit dukët qesharake, si një relikt i së kaluarës, si një folklor nacionalist për vetëkënaqësinë e tyre, por pa rrezik. Serbia, kurdo që është humbëse dhe në probleme, ka nevojë të qetësohet duke iu kthye nacionalizmit arkaik, religjioz.

Ekseset që i bëjnë disa serbë të dehur duke ardhur në Gazimestan në këtë ditë (28 qershor) e shprehin mllefin dhe dëshirimin e tyre për humbjen e Kosovës.

Me të ardhur në Kosovë për këtë rast, Nikoliqi do që, paksa ta heq mallin e kohës së Millosheviqit. Por, pasi që duhet që të vije në shtetin e Kosovës, me lejen e autoriteteve shtetërore të Kosovës, vet ai e din se çfarë mundimesh për këto disa orë qëndrimi në Kosovë do të ketë në zemrën e vet.

Sa ma tepër që janë të vetëdijshëm se ëndrra e tyre për “Kosovën serbe” ka marr fund, aq ma tepër elita serbe ka nevojë për folklor nacionalist dhe kujtim të së kaluarës humbëse.

Lajmi.net: Në disa vite të pasluftës, ky manifestim është shënuar me provokime të pelegrinëve serbë ndaj policisë dhe qytetarëve shqiptar të Kosovës. Çfarë është dashur të bëjnë organet kosovare në këtë rast?

Azem Vllasi: Organet e rendit të Kosovës duhet që ta ruajnë gjakftohtësinë, por të demonstrojnë forcën e shtetit të ligjit. Provokimet e tilla gjithmonë janë të qëllimshme pikërisht për ta provokuar shtetin tonë dhe për të dërguar imazh në botë se këtu serbët janë të rrezikuar, madje as nuk guxojnë ta festojnë historinë e vet. Për të festuar ka të drejtë secili qytetar, por për të provokuar rendin publik dhe forcat e rendi, nuk ka të drejtë. Dhe ndaj provokatorëve duhet marrë masa ligjore.

Lajmi.net: Në përvjetorin e fundit, komuna e Graçanicës ka vendosur shtatoren e Millosh Obiliqit që te shqiptarët njihet si Millosh Kopiliqi në qendër të kësaj qytetëse. A është edhe ky një provokim?

Azem Vllasi: Qëllimin për provokim e kanë, sepse edhe këtë ngjarje e vendosin në ikonografinë e tyre nacionaliste. Por, ne Shqiptarët nuk duhet edhe krejt ta marrim si provokim. Para se gjithash për faktin se Milloshi për serbët është shndërruar në mit. E për mos të qenë Kopiliq e kanë bërë Obiliq.

Si edhe çdo humbje tjetër historike, edhe Betejën e Kosovës e vitit 1389 që e kanë shndërruar në mit, ngase ishte tragjedia dhe humbja më e madhe serbe gjatë historisë së tyre.

Serbët e duan mitologjinë. Askush prej tyre nuk e qanë kokën me faktin se kurrë, deri në ditët e sotme, askund ku jetojnë serbët, nuk gjendet edhe një mbiemër OBILIQ. Nëse shpaloset historia serbe, apo përmes internetit shpalosën librat amëz kudo që jetojnë serbët, mbiemër Obiliq që shkon me një Marko, Janko, Stojan, Milan, Stevan… nuk e gjeni.

Lajmi.net: Sipas jush, si do të duhej të rregullohej kjo çështje nga të dyja palët, Beogradit dhe Prishtinës, dhe a është ky një reflektim i gjendjes reale në terren?

Azem Vllasi: Shënimet e datave historike, religjioze e tjera, apo përmendoret që lidhen me qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh etninë, duhet të rregullohen me ligjet tona, e jo me Beogradin. Edhe Serbët e Kosovës kanë të drejtë të shënojnë datat e veta historike, ama pa ofenduar të tjerët, sikur që as ne nuk kemi të drejtë që ta ofendojmë askënd. Edhe ne kemi ngritë buste e përmendore në secilin qosh. Por, nuk ka askush të drejtë të shënojë ngjarje apo data që simbolizojnë histori apo politika okupuese, antishqiptare dhe me pretekste të papranueshme e ofenduese.