Veturat e pasiguruara dhe mosanëtarësimi i Kosovës në OKB pamundësojnë pajisjen me Karton të Gjelbër

Në takimin konsultativ të Komisionit për Buxhet dhe Financa probleme kryesore që janë duke e penguar Kosovën për ta pasur Kartonin e Gjelbër u përmendën dy: Rreth 60 mijë automjete të pasiguruara dhe mosanëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Lajme

16/05/2018 13:14

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se është themeluar grupi punues që do të merret me çështjen që ka të bëjë me automjetet e pasiguruara.

“Tash ka mbetur vetëm një çështje që ne duhet ta rregullojmë e ka të bëjë me automjetet e pasiguruara. Kemi pasë takim me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, e kemi themelu një grup punues dhe kemi marrë modele se si shtetet e tjera i kanë të rregulluara”.

Përveç këtyre dy problemeve, zv.ministër i Financave, Fatmir Gashi tha se edhe qarkullimi i tri llojeve të targave është problem.

“… ne i kemi tri lloj targa duke hyrë në KS. Na duhet me e pasë një targë ta nënshkruajnë traktatin e Vjenës dhe një variantë e cila është diskutu me BE-në është që me nënshkru një marrëveshje bashkëpunimi në Unionin Evropian dhe aty heket mundësia e pagesës së diasporës tanë tu hi në Kosovë”.

Mirëpo me këtë nuk u pajtua guvernatori Mehmeti. Ai tha se qarkullimi i tri targave nuk është problem pasi në BE qarkullojnë 10 lloje të tyre, raporton Ekonomia Online.

“Çështja e targave është finalizu, nuk e shoh as këtë çështje si problem. Ne kemi tri lloj targash por në BE janë 10 lloj targash që qarkullojnë”.

Ndërsa zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se çështja e automjeteve ka qenë problem që nga fillimi.

Mirëpo, sipas tij, ky problem mund të zgjidhet brenda 2 vjetësh.

“Është diku 20 përqind që ne këtë duhet ta reduktojmë në 5 përqind, diku rreth 60 mijë vetura”.

Të shqetësuar me mungesën e Kartonit të Gjelbër u shprehën anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Lumir Abdixhiku tha se është e turpshme që edhe 20 vite pas luftës nuk është zgjidhur kjo çështje e që diaspora të paguajë sa herë që vjen në Kosovë, raporton EO.

“Këtë vit në planin e punës e kemi vendosur si çështje kyçe trajtimin e Kartonit të Gjelbër. Ne konsiderojmë dhe e kemi parë të paarsyeshëm faktin që 20 vjet pas luftës qytetarët të mos pajisen me këtë. Është e turpshme për diasporën që saherë të vijnë në Kosovë të paguajnë”, tha ai.

Ndërsa Naser Osmani fajin për vonesën për këtë karton ia la mungesës së vullnetit të institucioneve lidhur me këtë çështje.

“Duhet të kërkojnë zgjidhje për këtë problem. Na jemi të vetëdijshëm që paguajmë çmime të mëdha. Te Kartoni i Gjelbër kam përshtypjen që ka mungesë të vullnetit…”.

Deputetja Safete Hadërgjonaj pyeti të pranishmit lidhur me kryerjen e detyrave që i përkasin Kosovës.

“Ne edhe sot në vitin 2018 nuk e kemi të zgjidhur këtë problem. Në Komisionin për Buxhet kemi provu me zgjidhë këtë çështje kemi biseduar për përfaqësuesin e Byros Kosovare, mirëpo ne jemi në këtë situatë dhe mua më intereson me ditë që mosprezenca e Kosovës në Kombe të Bashkuara a është vetëm ky problem”.

Edhe Blerim Pushkolli, Byroja e Sigurimeve, tha se problemi kryesor qëndron te mosanëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Në të gjitha komunikimet që janë bërë deri tash gjithmonë është përmend anëtarësimi në OKB se kushtetuta që e kanë byrotë decidivisht e përmend anëtarësimin në OKB. Kemi katër shtete që mbulohen me karton nga shtetet e tjera”.