Vetëvendosje zgjedh zëvendësuesit e Shpend Ahmetit dhe të larguarve të tjerë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot, mbledhjen e 33-të të Këshillit të Përgjithshëm.

Lajme

06/05/2018 18:43

Përmes një postimi në Facebook, Vetëvendosje bën të ditur se në mbledhje, përveç tjerash, është kompletuar kryesia e Vetëvendosjes ku nga tash numëron 23 anëtarë gjithsej si dhe u plotësuan me anëtarë të rinj katër komisione: Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm, Komisioni Statutor, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni për Shqyrtime dhe Ankesa.

“Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje zgjodhi nëpërmjet votimit të fshehtë pesë anëtarë të rinj të kryesisë së Lëvizjes si dhe zgjodhi për nënkryetarin e parë, Besnik Bislimin dhe për sekretare organizative, Vlora Haxhimehmedin”, thuhet në postim.

VV shton se, “në pozicionin e drejtuesit të Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë është zgjedhur Boiken Abazi dhe udhëheqëse e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali. Anëtarët e rinj të Kryesisë, përmes votimit, janë plotësuar me Arbërie Nagavcin, Martin Berishajn, Arber A. Rexhajn, Arbër Zaimin dhe Ajet Poterën”.

Mbledhja ka vazhduar me shumë diskutime dhe pika të shumta të rendit të ditës, me ç’rast drejtorët e drejtorive në komuna ku qeveris Lëvizja Vetëvendosje kanë raportuar mbi punët që po bëjnë këto drejtori gjithnjë me orientim nga alternativa e Lëvizjes dhe synim barazinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Në Kosovë nuk është përmbyllur shtetndërtimi sepse nuk ka demokraci në institucione dhe sepse ka kapje të shtetit gjithandej. Në Kosovë nuk është bërë zhvillimi ekonomik sepse nuk ka prodhim e punësim dhe sepse ka nepotizëm dhe krim. Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më demokratik në vend, demokracinë e brendshme, do ta bartë edhe në institucionet e Republikës dhe komunat e vendit gjithandej nëpër Kosovë”, bëhet e ditur nga Vetëvendosje.