VETERANËT

Rishikimi i listave të veteranëve është në të mirën e shtetit, ish-ushtarëve dhe për vetë imazhin e UÇK-së. Kjo është domosdoshmëri kohe, që ngre dhe mbron vetë imazhin e veteranit. Dhe, njëkohësisht, shmang edhe shfrenimin medial të disa medieve dhe individëve të caktuar, me qëndrim të qartë kundër UÇK-së, që rastet e izoluara të manipulimeve t'i marrin si pretekst për ta sulmuar vetë UÇK-në dhe luftën e saj të pastër çlirimtare.

Opinion

03/10/2016 15:57

Shkruan: Burim Etemaj

Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e shenjtë. E pastër në themel. E drejtë deri në pikë të fundit. U luftua për çlirim; për liri; për shtet; për të drejta njerëzore e kombëtare. Duke qenë e tillë, ajo gjeti mbështetjen gjithëkombëtare.

Pas çdo lufte, në shumicën e vendeve në botë, shoqëria i nderon ata që luftuan. I konsideron heronj. Shteti i identifikon. U ndan mirënjohje dhe i merr nën përkujdesje financiare. Kuptohet, jo të gjithë. Por, vetëm ata që domosdoshmërisht kanë nevojë.

Kjo praktikë, me vonesë të madhe u ndoq edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës. Krejt në rregull. Ata që luftuan, meritojnë të nderohen e të ndihmohen. U hap procesi për njohjen e statusit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U formua dhe komisioni shtetëror. Dhe pas një kohe u shpallën listat. Por, çuditërisht, në to figuronin, krahas atyre që e ideuan, përgatiten terrenin për luftë dhe luftuan kundër forcave serbe, edhe dezertorë e ish-udbashë, emra të njohur lehtë për opinionin. Tani Kosova ka rreth 60 mijë veteranë.

Numrin kaq të madh të veteranëve duhet parë nga këto këndvështrime:

  1. Gjendja e rëndë sociale-ekonomike në vend, që për rrjedhojë ka sjellë papunësi të madhe. Në këtë rast, marrja e statusit të veteranit, duke përfituar pension në vlerë prej 170 eurosh në muaj, për një pjesë të tyre paraqet edhe ndihmë modeste financiare;
  2. Dëshira e madhe për t’u bërë pjesë e historisë së lavdishme të UÇK-së;
  3. Dyshohet se disa ish-komandantë kanë përfituar edhe materialisht, duke ndihmuar individë që ta fitojnë statusin e veteranit;
  4. Duke kontribuar në fyerjen e numrit të veteranëve, kanë përfituar politikisht edhe shumica e subjekteve politike.

Për pasojë, në këtë rast të dëmtuar janë ish-ushtarët, veteranët e vërtetë dhe familjet e tyre. Ata që janë ndër meritorët kryesorë për çlirimin e vendit dhe lirinë që e gëzojmë sot, për të cilët as shteti përmes sektorit shtetëror e as shoqëria përmes sektorit privat nuk kanë bërë aq sa duhet për t’ua gjetur një vend pune, atyre apo familjarëve të tyre, në mënyrë që, krahas ruajtjes dhe nderimit të dinjitetit dhe krenarisë, të mos bëhen barrë e buxhetit të shtetit.

Për të dalë nga ky qorrsokak, sepse buxheti i varfër i shtetit nuk ka para për të gjithë këta veteranë, sa më parë duhet krijuar një komision parlamentar nga Kuvendi i Kosovës apo nga Qeveria, i cili së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe të gjithë ish-komandantët e zonave t’i rishikojnë një nga një listat e veteranëve. Deklarimin publik se janë kundër fryrjes së listave, të gjithë këta, sidomos komandantët e zonave të luftës dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duhet ta dëshmojnë në praktikë.

Pas rishikimit të listave, të gjithë ata individë që figurojnë si veteranë pa qenë ish-pjesëtar të UÇK-së, dhe ata që bëhen pjesë e manipulimit, duke ua mundësuar një gjë të tillë, do të duhej të përballeshin me ligjin.

Rishikimi i listave të veteranëve është në të mirën e shtetit, ish-ushtarëve dhe për vetë imazhin e UÇK-së. Kjo është domosdoshmëri kohe, që ngre dhe mbron vetë imazhin e veteranit. Dhe, njëkohësisht, shmang edhe shfrenimin medial të disa medieve dhe individëve të caktuar, me qëndrim të qartë kundër UÇK-së, që rastet e izoluara të manipulimeve t’i marrin si pretekst për ta sulmuar vetë UÇK-në dhe luftën e saj të pastër çlirimtare.