Vetëm një deputet ka hequr nënshkrimin nga nisma për shfuqizimin e Speciales

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i kanë tërhequr nënshkrimet nga kërkesa për shfuqizimin e Speciales pavarësisht deklarimit të djeshëm të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që “Gjykata Speciale do të ndodhë”.

Lajme

09/01/2018 14:49

Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës thanë sot për KALLXO.com se deri më tani, vetëm një deputet e ka tërhequr nënshkrimin e tij nga lista e atyre që kërkuar shfuqizimin e kësaj gjykate të miratuar nga deputetët e legjislaturës së kaluar në gusht të vitit 2015.

Në listën e deputetëve që kanë kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka më së shumti deputetë të PDK-së (19), parti e drejtuar nga vetë Kadri Veseli, si dhe deputetë të AAK-së (10), NISMA-s (6), një i AKR-së dhe komuniteteve pakicë.

“Vetëm Islam Pacolli ka tërhequr nënshkrimin zyrtarisht. Nënshkrimet tjera nuk janë tërhequr”, tha Ismet Krasniqi.

Pacolli e kishte tërhequr nënshkrimin e tij më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ditën kur e kishte dhënë atë nënshkrim, me arsyetimin se nuk ka qenë në dijeni për çka ka nënshkruar.