Veseli takon përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare – u kërkon më shumë punë

Një ditë pas ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka mbledhur në takim përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare nga të cilët ka kërkuar të punojnë më shumë për të përfunduar të gjitha projektligjet që aktualisht ndodhen në procedura parlamentare.

Lajme

22/03/2018 15:40

Veseli tha gjatë këtij takimi se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe deputetët duhet të punojnë më shumë në shqyrtimin dhe procedimin e të gjitha projektligjeve që lidhen me Agjendën Evropiane të Reformave.

“Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallime politike që të kryjnë obligimet e tyre dhe të punojnë më shumë në interes të qytetarëve. Ftoj të gjithë deputetët të jenë më aktiv në punën e tyre në Komisione Parlamentare për të procesuar në seancë projektligjet që ndodhen tash e disa javë nëpër procesura të Komisioneve”, tha Kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Kuvendi duhet ti kthehet funksionalitetit të plotë dhe deputetët duhet të dinamizojnë punën e tyre.

Aktualisht, më së shumti projektligje (15) ndodhen në shqyrtim në Komisionin për Legjislacion që udhëhiqet nga deputetja Albulena Haxhiu.

Ndryshe, në takimin e kryeparlamentarit Veselit me përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare nuk ishin të pranishëm asnjë deputet i opozitës të cilët udhëheqin Komisionet Parlamentare dhe kanë shumë projektligje në shqyrtim.