Veseli nderon viktimat e masakrave në Likoshan dhe Qirez

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me rastin e 18 vjetorit të masakrave në Likoshan dhe Qirez, ka bërë homazhe sot në kompleksin e varrezave  “Dëshmorët e Çiçavicës 1998-1999” në Likoshan-Qirez, duke përkujtuar viktimat e këtyre masakrave.

Lajme

28/02/2016 14:45

Ai vendosi buqeta lulesh pranë varreve.

Më pas, kryetari i Kuvendit mori pjesë në Akademinë përkujtimore, në nderim të viktimave të këtyre masakrave, e cila u mbajt Shtëpinë e Kulturës në Drenas.

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli tha se në historinë më të re të Kosovës, 28 shkurti i vitit 1998 përbën një moment kthese historike, kur në fshatin e vogël buzë Çiçavicës, në Likoshan, u dha kushtrimi i fillimit të kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vitet e pritjes kishin marrë fund, bashkë me tolerimin e shtypjes e përbuzjes. Si askund tjetër kjo ndihej në Drenicë, aty ku djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, kishin filluar të vepronin hapur. Koha kur njësitë policore serbe endeshin të lira nëpër fshatrat e Drenicës kishte marrë fund. Brenda tre muajve, tri përpjekje të armatosura kishin ndodhur: në Vojnikë, në Rezallë të Re dhe Prekaz. Me 28 shkurt ndodhi e katërta, në Likoshan”, tha në vazhdim të fjalës së tij kryetari Veseli, duke shtuar se si në tre rastet tjera, edhe këtu njësitë policore serbe morën goditje dërmuese.

Të tërbuara nga disfata, ato u sulën mbi Likoshanin e Qirezin, duke masakruar me dhjetëra civilë të pafajshëm, të rinj, të moshuar, gra shtatzëna. Njëjtë si në skenarët e vjetër, masakra në Likoshan e Qirez u krye për ta frikësuar dhe gjunjëzuar Kosovën.

Por, shtoi kryetari Veseli, ndodhi e kundërta: krimi në Likoshan, Qirez, e pastaj edhe në Prekaz, iu kthye bumerang Serbisë, duke shumëfishuar njësitet e UÇK-së brenda pak javësh.

“Ishte kjo luftë, që me pastërtinë e kauzës së saj, mobilizoi gjithë kombin shqiptar dhe njëkohësisht botën demokratike, për t’i dhënë fund sundimit të egër njëshekullor të Serbisë në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Sot, shtoi Veseli, Kosova është e lirë, shtet i pavarur, demokratik dhe sovran, në themele të të cilit qëndron mundi dhe sakrifica e mijëra burrave e grave të Kosovës, por edhe përkrahja e shteteve të fuqishme perëndimore.

“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët tanë, por sot nderimi më i madh për ta, është që të punojmë për ta bërë më të mirë Kosovën, më të fuqishme politikisht, më të zhvilluar ekonomikisht, me mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Liria u jep kuptim sakrificave që bëhen për të, ndërsa zhvillimi dhe mirëqenia i japin kuptim të mirëfilltë lirisë”, tha në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se nuk do të harrohet kurrë as ndihma e shteteve mike perëndimore, mirënjohja më mirë ndaj të cilave është të punohet që Kosova të bëhet pjesë të bashkësisë së këtyre shteteve, pjesë e Bashkimit Evropian, aty ku e ka vendin e saj natyral.

“Ky është vizioni ynë, për të cilin populli ynë asnjëherë s’ka pasura dilema. E nuk duhet të kemi as ne sot si klasë politike”, tha kryeparlamentari Veseli./lajmi.net