Veseli dhe Haradinaj vetëm kafe kanë pirë në hotelin e Pacollit

U raportua me pompozitet sonte se krerët e PAN-it, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj janë takuar me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli në hotelin e tij në qendër të Prishtinës.

Lajme

25/07/2017 23:23

Megjithatë, burime të lajmi.net kanë konfirmuar se një takim i tillë nuk ka ndodhur fare.

“Absolutisht nuk janë takuar. Ata (Veseli dhe Haradinaj) kanë qëndruar për kafe në Swiss (hoteli i Pacollit) dhe nuk kanë pasur qëllim ta takojnë Pacollin”, ka thënë një burim për lajmi.net brenda PAN-it.

Edhe brenda AKR-së e kanë konfirmuar të njëjtën gjë. “Nuk ka pasur takim sonte”, ka thënë njëri i afërt i Pacollit për lajmi.net.
Me t’u afruar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet më 3 gusht, janë intensifikuar zhvillimet rreth votave të nevojshme për kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e re të Kosovës.

Deri me tash koalicioni LDK-AKR-Alternativa në disa raste publikisht është deklaruar se asnjëri nga deputetët e tyre nuk do të votojnë as për kryetarin e Kuvendit e që kandidat pritet të jetë Kadri Veseli e as për qeverinë që i nominuar për kryeministër është Ramush Haradinaj. /Lajmi.net/