Veriut i “jepet” Gjykata Themelore

Qeveria e Kosovës ka bërë edhe një lëshim në dialogun me Serbinë - ka pranuar që për komunat e veriut të ketë një Gjykatë Themelore. Veprimi është në kundërshtim me Ligjin mbi gjykatat.

Lajme

14/10/2014 08:49

Kjo dhe të dhëna të tjera që flasin për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, janë përfshirë në një Raport që këtë muaj ekzekutivi ia ka përcjellë Bashkimit Evropian, përkatësisht Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm.

Aty potencohet edhe e dhëna se në veri akoma funksionojnë mekanizma paralelë, përfshirë gjykatat që ende pranojnë lëndë.

Po kështu, përmendet edhe një strukturë paramilitare që vepron lirshëm, shkruan Koha Ditore.

Dokumenti që i referohet periudhës së raportimit janar-shtator 2014 thotë se në çështjet e drejtësisë, progres është bërë në një masë më të madhe në lidhje me planifikimin e implementimit të marrëveshjes, por thekson faktin se në praktikë gjërat janë ndryshe.

Aty jepet e dhëna se Plani i Zbatimit për fushën e drejtësisë është rënë dakord në masë të madhe, por se nuk është finalizuar ende.