Venezuela e quan ‘vrasës’ John Kerry’n

Ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jaua, ka akuzuar sekretarin amerikan John Kerry, si nxitës të dhunës dhe e quajti atë “një vrasës”. Jaua reagoi pas komenteve të Kerry't, i cili akuzoi Venezuelën se po ndërmerr “një fushatë terrori ndaj popullit të saj” .

Lajme

15/03/2014 06:50

Venezuela ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara si orkestrues të trazirave, që kanë lënë të paktën 28 persona të vdekur. Ndërsa SHBA-të kanë deklaruar se Venezuela po përdor alibinë e amerikanëve si për të mbuluar problemet e veta të brendshme.

Në televizionin kombëtar, Jaua tha se nuk do të “ulte” retorikën e tij pas fjalëve të rënda të Kerry-t gjatë së enjtes.

“Zoti Kerry, ne ju denoncojmë juve përpara botës. Ju jeni orkestruesit e dhunës në Venezuelë dhe do ta denoncojmë këtë në çdo pjesë të botës. Ne ju denoncojmë juve si një vrasës të popullit venezuelian”, tha Jaua në Karakas.

“Sa herë që ne përpiqemi të izolojmë dhe të reduktojmë dhunën, menjëherë del Kerry me një fjalim dhe po menjëherë riaktivizohen barrikadat nëpër rrugë, në vendet kryesore të dhunës”, shtoi ai.

Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, refuzoi të komentonte deklaratën e Jaua-s, duke u mjaftuar vetëm me faktin se qeveria venezueliane “nuk po tregonte të vërtetën” në lidhje me protestat.

Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha gjithashtu se Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), aleatët dhe fqinjët më të afërt të Venezuelës, duhet ta ndërgjegjësojnë atë për protestat brenda vendit. / Top Channel