Vendimi i Kushtetueses për pronat e Manastirit, shtynë deçanasit në protestë (Video)

Kryetari i Deçanit tha se nesër do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Asamblenë Komunale për të diskutuar rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Për pasnesër Selmanaj paralajmëroi protestë.

Lajme

24/05/2016 20:33

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia pranoi kërkesën Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë, kanë reaguar edhe autoritetet lokale.

I pakënaqur me ketë vendim, kreu i Komunës, Rasim Selmanaj, tha së në koordinim me subjekte politike në këtë komunë, për nesër është thirrur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa për pasnesër kryetari i Komunës së Deçanit paralajmëroi protestë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Jemi bashkuar të gjitha partitë politike, përkatësisht ato parti politike që përfaqësohen në Asamblenë Komunale, edhe në përfundim kemi ardhur me mbajtë një asamble të jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar pas vendimit”, tha Selmanaj.

Po ashtu, Selmanaj tha se si kryetar i Komunës në shenjë pakënaqësie për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka thirrur një protestë, e cila është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare.

Më tutje, i pari i Deçanit tha se mund të ketë edhe veprime të tjera në kundërshtim të vendimit për pronat që i janë dhënë Manastirit  të Deçanit. Kurse, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Rasim Selmanaj e ka quajtur vendim politik, të ndikuar edhe nga ambasadat ndërkombëtare.

“ Vendim i cili është i ndikuar puro politikisht nga ambasadat dhe është vendim i padrejtë. Është në kundërshtim me drejtësinë dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, theksoi ai.

YouTube player