Vëllezërit problematikë të Rexhep Selimit…

Rexhep Selimi është detyruar mbrëmë t’i dalë në mbrojtje publikisht vëllait, Ramadan Selimi. Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës sulmoi fizikisht mbrëmë në orën 18:00 një polic të Kosovës, pasi që paraprakisht nuk iu kishte bindur urdhrave për t’u ndalur.

Lajme

03/03/2018 17:01

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në fund të janarit u ballafaqua me probleme të vëllait tjetër, Islamit, i cili mbeti i plagosur pas një përleshje në fshatin Komoran të Drenasit.

Ramadan dhe Islam Selimi

Edhe vet Rexhep Selimi kishte pasur probleme me policët e Kosovës. Bëhet fjalë për përplasjen e tij më 10 mars të vitit 2016 në hollin e Kuvendit ku aso kohe deputetët kontrolloheshin nga policët për futjen e gazit në seancë.

Përplasja e Selimit në hollin e Kuvendit me pjesëtarin e policisë kishte bërë bujë të madhe, pasi që ishte filmuar e tërë ngjarje dhe ai shihej tepër i nervozuar dhe gati të konfrontohej fizikisht, shkruan lajmi.net.

Rexhep Selimi në Kuvend

Por çfarë ndodhi mbrëmë me Ramadan Selimin, kryetarin e Federatës së Boksit?

Policia e Kosovës ka sqaruar se vëllai i Rexhep Selimit, Ramadani është liruar në procedurë të rregullt. Sipas PK-së i njëjti kishte sulmuar zyrtarin policor. Ai fillimisht kishte penguar komunikacionin me veturë e më pas nuk kishte përfillur urdhrat e policisë.

“Prishtinë, 02.03.2018. 18:00. Gjatë realizimit të detyrave zyrtare, dy zyrtarë policorë janë marrë me të dyshuarin mashkull/shqiptar kosovar, i cili përveç pengimit/bllokimit të rrugës me veturën (Peugeot me targa vendore) që drejtonte në trafik nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë në detyrë, dhe po ashtu i njëjti ka sulmuar zyrtarin policor gjatë përpjekjeve për të realizuar detyrën”, njofton Policia.

“Është njoftuar prokurori kompetent lidhur me rastin, i dyshuari është shoqëruar në stacion sipas procedurave dhe në prezencë të avokatit mbrojtës është intervistuar, pastaj me urdhër verbal të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

Ramadan Selimi

Na raportin intern thuhet se Selimi e ka goditur me këmbë në dy këmbët zyrtarin policor.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pasi është sjellë në stacion, i dyshuari përsëri e kishte goditur me grusht në fytyrë zyrtarin policor si dha ja kishte grisur aknen zyrtare”, thuhet në raportin e brendshëm të PK-së.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, mbrëmë përmes llogarisë së tij në Facebook ka thënë se shteti po i hakmerret duke ia arrestuar vëllain. Rexhep Selimi thotë se dikush ia montoi rastin vëllait të tij i cili ishte konfrontuar me policë.

“Po duket se hakmarrja filloi. Ta shohim deri ku po shkojnë me montime rastesh sikur ky që po e shoh në media. E kam pritur…”, ka shkruar Rexhep Selimi në llogarinë e tij Facebook. /Lajmi.net/