Veliu kritikoi ashpër Selmanajn që e ftoi në LDK Shpend Ahmetin, të njëjtën e bëri edhe Abdixhiku

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, e ftoi në këtë parti kryetarin e tanishëm të Prishtinës që u dorëhoq nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

Lajme

18/03/2018 12:35

Selmanaj tha në një debat televiziv se LDK-ja është e hapur edhe për Shpend Ahmetin, por mori kritika të ashpra nga nënrkryetari i parë i kësaj partie, Agim Veliu.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e hapur për të gjithë personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj partie. Normalisht, që vija të kuqe kemi ndaj atyre njerëzve që kanë probleme me ligjin, e që Shpend Ahmeti nuk është njëri nga ata persona”, ka thënë Selmanaj.

E të njëjtën e bëri edhe deputeti tjetër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se “janë të hapur për secilën fytyrë publike që mendon sikur LDK-ja”, duke mos e përjashtuar këtu as Shpend Ahmetin, kur u pyet nga gazetari i emisionit.

Veliu ia tërhoqi vërejtjen Selmanajt që në LDK vendosin strukturat se “kush mund t’i bashkohet LDK-së”.

Veliu i tha Selnanajt se “bashkimi me LDK-në nuk funksionon mbi bazën e ftesave përmes televizioneve”.

Por të njëjtën e bëri edhe Abdixhiku në një emision televiziv, duke thënë se “dyert i kanë të hapura për të gjithë ata që mendojnë si LDK-ja”.

Ndryshe LDK-ja tash e disa muaj është duke funksionuar pa kryetar partie, pasi Isa Mustafa është në shërim jashtë vendi, dhe rolin e liderit është duke e luajtur nënkryetari i parë Agim Veliu./Lajmi.net/