Velija: Liberalizimi i tregut ulë papunësinë

Këtë javë Qeveria shqiptare morri vendim për liberalizimin e tregut të punës Shqipëri-Kosovë, ndërkohë që edhe në muajin janar të këtij viti është nënshkruar një marrëveshje për krijimin e tregut të përbashkët midis dy vendeve.

Lajme

11/05/2014 14:07

Liberalizimi i tregut të punës pritet jo vetëm të shmangë burokracitë dhe procedurat për aplikim për vende pune, por pritet të ndikojë edhe në uljen e papunësisë në të dy shtetet.

Kështu mendon ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë shqiptare, Erion Veliaj, i cili në një intervistë për Kosovapress tregoi për këtë marrëveshje të firmosur midis dy qeverive.

\”Shumica e stafit që vjen nga Kosova ose Lugina e Preshevës janë njerëz shumë të specializuar ose njerëz që kanë një veprimtari biznesi. Kjo do të thotë që kërkojnë të hapin një sipërmarrje e cila punëson njerëz. Pra, nuk është se po marrin nga tregu i punës në Shqipëri, përkundrazi po kontribuojnë që tregu i punës të zgjerohet”.

“Kështu që për të gjitha këto arsye ne morëm një vendim që ta heqim të gjithë burokracinë e lejeve të punës, për qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Luginës së Preshevës, pra vetëm për ata me kombësi shqiptare, si një mënyrë për të inkurajuar dhe për ta bërë më të thjeshtë hapjen e vendeve të punës në Shqipëri por edhe punësimin e tyre”.

Ministri Veliaj tha se ky lloj afrimi i tregut të punësimit Kosovë-Shqipëri ndihmon edhe për shkëmbim eksperiencash, sidomos në ato profesione, ku Shqipëria ka mangësi, siç janë informaticienët; teknologët kosovarë të cilët janë trajnuar në Zvicër apo Gjermani.

\”Nëse shikojmë statistikat e punësimit, shumica e atyre që nuk hapin biznese, por që punësohen në Shqipëri nga Kosova apo Lugina e Preshevës, janë në zanate për të cilat Shqipëria ka nevojë dhe nuk ka mjaftueshëm kapacitete, siç është teknologjia e informacionit, njerëz që dinë të shkruajnë softwer, njerëz që janë teknologë dhe që kanë një eksperiencë të madhe dhe në Perëndim, në Zvicër, apo në Gjermani”.

“Kështu që në këtë sens jo vetëm që nuk është prishur tregu i punës, por kemi nevojë për ato lloj punësh të cilat tregu këtu me inflacion avokatësh nuk ka më nevojë, dhe për ato që hapin biznes bëhet gjithashtu më e lehtë dhe gjykoj që përtej patriotizmit turbofolk, kjo është diçka konkrete dhe diçka që impakton jetë njerëzish, sidomos të atyre që janë të rinj nga Kosova dhe Lugina e Preshevës”, ka thënë për KosovaPress, Erion Veliaj.