Vazhdon rënia e çmimit të naftës

Çmimi i naftës vazhdoi rënien sot në Nju Jork, pas deklaratave të sovranit të ri të Arabisë Saudite, ku shpallte vazhdimësinë e politikave të naftës të këtij vendi të madh prodhues të arit të zi.

Lajme

23/01/2015 23:59

Rreth orës 14:20 GMT, një fuçi nafte e livruar për muajin mars ra me 59 cent duke kapur vlerën e 45,7 dollarëve. 

Që nga shpallja e vdekjes dje në mbrëmje të kreut të lartë saudit, që drejtonte vendin e parë në botën eksportues të naftës si dhe prodhuesi më i madh në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), çmimet e arit të zi u rritën ndjeshëm. 

Por sot në mëngjes ishte e qartë se nuk do të kishte ndryshim në politikën energjetike të Arabisë Saudite dhe se situata e mbiprodhimit në të cilën gjendet aktualisht tregu nuk do të ndryshojë, pas deklaratave të sovranit të ri.

Në fjalimin e tij të parë të publikuar nga televizioni kombëtar, mbreti i ri saudit, Salmane, 79 vjeç, gjysmëvëlla me Abdullahun, u angazhua se do të vazhdojë rrugën e paraardhësit të tij.

Ai këmbënguli në vazhdimësinë e politikave të mbretërisë së naftës dhe të unitetit brenda botës myslimane.