Vazhdon hetimi rreth helmimit të nxënësve në Shkup (VIDEO)

Procesi mësimor në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” është zhvilluar në kushte normale pas incidentit të një dite më pare, ku një ish nxënës i kësaj shkolle kishte hyrë në objektin shkollor dhe kishte lëshuar një gaz të panjohur kimik.

Lajme

01/10/2015 16:27

Rreth orës 16:00, menjëherë pas këtij incidenti, 14 nxënës dhe një profesor u shtruan në Klinikën e Toksikologjisë si rezultat i djegieve të syve, ngufatjes dhe dhembjes së kokës. Mjeku Nestor Popovski thotë se që të gjithë nxënësit janë lëshuar në shtëpi, menjëherë pas kontrollit mjekësor. Ai tha se ende është herët të flitet se për çfarë gazi helmues bëhet fjalë, por se ai nuk ka qenë i rrezikshëm për nxënësit.

“Në spital pritëm 14 fëmijë, 1 prej tyre u mbajt për kurim i cili pas disa orësh edhe ai u lëshua pasi nuk kishte simptoma. Asnjë nga të prekurit ndaj këtij gazi nuk u mbajt për kurim spitalor, të gjithë u lëshuan në shtëpi. Sot që të gjithë erdhën për kontrolle mjekësore, mendoj se të gjithë janë në rregull, ne kemi dërguar materiale për analiza toksikologjike”, tha Nestor Popovski, mjek në Klinikën e Toksikologjisë.

Ndërkohë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi kërkoi nga Ministria e Brendshme që të zbardhë me urgjencë rastin dhe me këtë të parandaloj incidente të tilla në të ardhmen.

“Kërkuam nga institucionet, në veçanti nga MPB-ja dhe organet hetuese që sa më shpejtë ta pastrojnë këtë rast. Nga informacionet e para të pakonfirmuara bëhet fjalë për një sprej, lëndë kimike jo e dëmshme për shëndetin e nxënësve fatmirësisht. Bëhet fjalë për një person, ish nxënës i asaj shkolle, përsëri sipas informatave të pakonfirmuara dhe për momentin nuk do të doja të thellohemi më tepër rreth iniciatorëve apo kryerësve të kësaj vepre”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov”, Jovanka Asprovska nuk deshi të prononcohet para mediave duke penguar kështu informimin e drejtë të opinionit.

“Një ditë pas shtrimit në spital të 14 nxënësve të shkollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov” udhëheqësit e kësaj shkolle sot nuk deshën të prononcohen para mediave duke dashur që t’i ikin përgjegjësisë për atë se çfarë në fakt ndodhi dje. Udhëheqësia e shkollës, në fakt drejtoresha Jovanka Asprovska sot vetëm tha se asaj i është ndaluar nga MPB-ja që të jap deklaratë”.

Nxënësit që anketuam thonë se profesorët e tyre nuk u kanë treguar asnjë detaj se çfarë ndodhi në të vërtetë në shkollën e tyre, dhe cila ishte arsyeja që 14 moshatarë të tyre u shtruan në Klinikën e Toksikologjisë.

“Helm kanë lëshuar dhe askush asgjë nuk na ka treguar. Nuk kemi frikë të vijmë në shkollë pasi nuk ishte edhe aq gjë e madhe se sa e bënë”.

“Disa nxënës nisën të kolliten, nuk di më shumë. Situata në shkollë është e sigurtë, nuk na kanë treguar asgjë, por ndihemi të sigurtë”.

“Diçka helm kanë lëshuar, por nuk e di saktë. Ka pasur nxënës që janë rrëzuar për toke, iu kanë marrë mëndët, kanë pasur të vjella. Askush asgjë nuk na ka treguar”.

“Asgjë nuk dimë, vetëm profesoresha na tha dje se duhet të dalim e të shkojmë në shtëpi”.

Nga MPB-ja, përmes një kumtese me shkrim thonë se hetimi për rastin “Arseni Jovkov” ka nisur menjëherë dhe po punohet në zbardhjen e tij. Për rastin është informuar edhe Prokurori Publik./Alsat-M/

YouTube player