Vazhdon dyfytyrësia e Serbisë me BE-në, ushtria e saj do të parakalojë në Moskë

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka dekretuar vendimin që Ushtria e Serbisë të merr pjesë në paradën ushtarake që do të parakalojë në Moskë, ditën e shënimit të fitores mbi nazizmin, më 9 maj.

Lajme

07/04/2015 11:20

Ky vendim për serbët ka qenë i pritshëm, por nuk u ka pëlqyer vendeve të perëndimit, veçmas atyre të Bashkimit Evropian, gjë që pritet të ndikojë edhe në raportet mes Serbisë dhe BE-së , transmeton RTK.

Ish – diplomati serb, Dushan Laziq për televizionin beogradas B92, ka thënë se Nikoliq duhet  të mendohet mirë për pasojat e vendimeve të veta, sidomos në kushte të marrëdhënieve të acaruara ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

“Duhet pasur parasysh se vendimi i tillë nuk do të hasë në mirëkuptim në BE, ndërsa do të reflektohet edhe mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Situata në vend s’është e mirë, as sociale, as ekonomike as politike”.

“Mendoj se kjo ka kontribuuar që Nikoliqi të marrë vendim të tillë, ndërsa është e qartë se ekzistojnë dallim në kreun serb sa i përket politikës së jashtme, ekzistojnë orientime të ndryshme sa i përket asaj cilat qasje duam t’i arrijmë dhe për qasjen ndaj arritjes së atyre qëllimeve”, ka thënë Laziq.

Parakalimi në Moskë bëhet me rastin e 70 vjetorit të  fitores mbi fashizmin, por shumica  e liderëve evropianë kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.