Valmir Tertini së shpejti me filmin “Tradhti me Letra”

Regjisori i ri shqiptar Valmir Tertini ka filluar xhirimet e filmit të ri me metrazh të shkurtër, ku para së gjithash trajton realitetin shqiptar.

ShowBiz

03/03/2016 08:25

Personazhet kryesore janë Merita, Azemi dhe Anna.

Merita është një grua e cila ka pranuar që burri i saj Azemi të martohet me një grua gjermane vetëm për t’i fituar letrat. Merita dhe Azemi kanë një vajzë pas katër viteve martesë.

Anna gruaja gjermane e Azemit insiston të vije në Kosovë për të parë se ku ka jetuar burri i saj. Me ardhjen e tyre në Kosovë, Azemi e prezanton Meritën si motrën e tij ndërsa vajzën si mbesën e tij. Atë natë kur të gjithë flenë, Merita nis të qaj te pragu i derës së dhomës së Azemit dhe Annes dhe në atë moment Merita ndjenë tradhtinë e hapur.

Tertini ka thënë për lajmi.net se historiku i filmit të tij të ri është bazuar në ngjarje të vërtetë, dhe ka bërë të ditur se xhirimet janë duke u bërë në Hamburg të Gjermanisë dhe së shpejti do të kthehet në Kosovë për t’i bërë edhe disa xhirime në një fshat të Gjakovës dhe në aeroportin e Prishtinës.

Në film luajnë shumë aktorë të njohur si Fisnik Zeqiri, Albulena Kryeziu, Don Granit Shala, Molikë Esat Maxhuni dhe aktorja gjermane Alexandra Waluk e cila së fundi ka luajtur në një film hollivudian së bashku me aktoren e njohur Julia Roberts. Ndërkaq producent i filmit është Fitim Krasniqi.

Tertini gjithashtu ka prononcuar se premiera e filmit do të shfaqet në Tiranë nga fundi i muajit mars./lajmi.net