Urtak Hamiti shkakton edhe një skandal tjetër diplomatik

Ish ambasadori i Kosovës në Kroaci, Urtak Hamiti, i cili u akuzua se gjatë shërbimit në këtë shtet, kishte shkaktuar incident diplomatik, një të tillë e ka përsëritur edhe në Maqedoni. 

Lajme

06/06/2014 21:35

Burime të sigurta pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, i kanë thënë portalit Indeksonline, se ngjarja në Maqedoni ka ndodhur në seminarin e NATO-s në Ohër, ku Hamiti është përplasur dhe ka fyer e ofenduar diplomatët e shteteve të tjera pjesëmarrëse.

“Urtaku sërish ka lënë shije të keqe tek organizatorët e seminarit zyrtar të NATO-s për shkak të sjelljeve jo të hijshme dhe konfliktit fizik që ka pasur për pasojë edhe tërheqjen e tij nga territori i Maqedonisë me kërkesë të MPJ-së”, kanë konfirmuar rastin dy burime të ndryshme. 

Për të njëjtin incident kanë raportuar edhe mediat në Maqedoni. 

Mësohet se ndaj Hamitit janë paraqitur edhe nota proteste nga disa shtete mike te ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, për shkak të sjelljeve joracionale dhe ofendimeve që ky i fundit ka bërë ndaj shteteve pjesëmarrëse në këtë seminar. 

Urtaku është djali i numrit 2 në listën e kandidatëve të LDK-së për deputetë, Sabri Hamiti.