Ukraina tërheq ushtrinë e saj nga Krimea

Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchnyov, i ka dhënë urdhër Ministrisë së mbrojtjes, për të tërhequr të gjitha forcat e saja ushtarake nga gadishulli Krimesë.

Bota

24/03/2014 10:59

Urdhri është dhënë për shkak të siç ka thënë ai, kërcënimeve nga ana e ushtrisë ruse për ushtarakët e Ukrainës dhe familjarët e tyre.

Njoftimi për tërheqjen e ushtrisë vjen disa orë pasi që trupat ruse duke përdorur granata çorientuese dhe gjuajtjet nga armët automatike, hapën rrugën e tyre për të depërtuar në bazën e marinës ukrainase Feodosia.

Gjatë marrjes së kësaj baze ushtarake, nuk ka patur të plagosur, raporton RFE.

Kjo bazë ishte ndër objektet e pakta ushtarake të Ukrainës në Krime që ende po mbante flamurin ukrainas.

Vetëm në fundjavë, dy baza të tilla janë marrë nga ana e ushtrisë ruse.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë bëri më dije një ditë më herët se tashmë flamuri rus, valon në mbi 189 lokacione ushtarake në Krime.