U zhduk para gjashtë javësh, ende asnjë gjurmë

Për më shumë se një muaj, Enver Çengaj nga Dragashi, është i humbur dhe nuk ka asnjë informacion se ku gjendet ai. Derisa duke kërkuar atë, ka humbur jetën edhe vëllai i tij, pasi e goditi rrufeja.

Lajme

06/09/2014 20:30

Familjarët tregojnë se nuk i kanë ndalur kërkimet për Enverin, mirëpo ende nuk dihet asgjë për fatin e tij, raporton KTV. Gruaja që përkujdeset për dy fëmijët, tregon se kanë kaluar gjashtë javë që kur ai është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet ai. 

Enveri ka kohë që kishte probleme mendore dhe kishte nevojë që dikush të kujdesej për të, tregon bashkëshortja e tij, e cila nuk dëshiron të prononcohet para kamerave. 

Ndërkaq, vëllai më i vogël i Enverit, Irfani, i cili jeton bashkë me familjen e tij, në fshatin Pllajnik, tregon se si ka humbur Enveri. Ai thekson se menjëherë pasi kanë mësuar se i vëllai është larguar nga shtëpia, kanë dalë për ta kërkuar. 

Irfani shpreson që së shpejti ta gjejë vëllanë e tij, qoftë edhe të vdekur, siç shprehet ai.