U përplasën me policinë, nis procedimi penal për 25 protestues

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat pas protestës së djeshme përballë ministrisë së Brendshme, nga një grup të rinjsh të opozitës.

Lajme

12/06/2018 16:27

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë nisur procedimin penal për 25 shtetas për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.

Këta shtetas, ditën e djeshme rreth orës 18:30, nga Ministria e Brendshme në drejtim të Kryeministrisë, kanë organizuar një tubim të paligjshëm dhe kanë vazhduar duke prishur rendin dhe qetësinë publike edhe pas lajmërimit të bërë nga ana e Policisë për shpërndarje, raporton Albeu.com, transmeton Klan Kosova.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime e grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 262/1 e 274 të Kodit Penal.