Turqit ia mësyjnë Kosovës si vend transit për të ikur në Europë

Shtetasit turq po e përdorin aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës dhe pikat tjera kufitare të Kosovës, si rrugë transit për të ikur në Europë.

Lajme

28/11/2014 14:37

Kjo është vërtetuar në dy aksione të Policisë së Kosovës, një në Aeroportin Ndërkombëtar e një në pikën kufitare “Kullë” që lidhë Kosovën me Malin e Zi. Në këtë të fundit janë ndaluar tetë shtetas turq e në pikën kufitare Aeroport janë ndaluar shtatë të tjerë.

Nga të gjithë këta, Policia ka arrestuar pesë shqiptarë të cilët përfituan materialisht nga të lartpërmendurit.

Policia raporton se në rastin në Aeroport ka ndaluar turqit të cilët kishin udhëtuar nga Stambolli, kinse për vizitë në Republikën e Kosovës, ndërsa në bazë të informacioneve policore, dyshohej se qëllimi i tyre ishte që, përmes Kosovës, të shkojnë drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Bazuar në këto dy raste dhe informacioneve paraprake policore, Sektori i Hetimeve të Policisë Kufitare ka ndërmarrë një operacion të shpejt, ku ka identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar: dy meshkuj dhe një femër. Personat tanimë të arrestuar, dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe me qëllim të përfitimit material, kanë aranzhuar ardhjen e shtetasve të huaj, në cilësi të vizitorëve në Kosovë, dhe më pastaj kontrabandimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Lidhur me rastet ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale kontrabandim me migrantë dhe të njëjtit, me vendimin e prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, janë dërguar në mbajtje.

Po ashtu, më 27 nëntor 2014, rreth orës 18:00, me kërkesë të Sektorit të Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, në dalje të pikës kufitare “Kullë” janë ndaluar tetë shtetas turq, të cilët në Republikën e Kosovës kanë hyrë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Këta persona dyshohet se kanë hyrë në Kosovë kinse për vizitë familjare në Kosovë , kurse qëllimi i tyre po ashtu dyshohej se ishte shkuarja në vendet e Bashkimit Evropian.

Lidhur me këtë rast, Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare pas një pune të suksesshme, ka identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit shtetas Kosovarë.