Tularemia erdhi me vërshimet

Vërshimet e fundit dhe kontaminimi i ujit janë faktorë kryesorë që i kanë shtyrë zyrtarët institucionalë të shëndetit publik për të shpallur gjendje të epidemisë së tularemisë në vend.

Lajme

11/02/2015 20:43

Ata kanë bërë të ditur se nuk ka vend për panik, ndërsa thonë se kanë marrë të gjitha masat për ngritjen e kapaciteteve për të parandaluar rastet e reja, raporton KTV.

Zyrtarë të QKMF-së në Obiliq, që konsiderohet si një nga komunat më të rrezikuara nga kjo sëmundje, konfirmojnë se trajtojnë raste të epidemive të ndryshme, e edhe të tularemisë.

Sipas IKSHP-së, nga 1 janari 2014 deri më 10 shkurt 2015, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 206 raste të tularemisë, që krahasuar me vitin e kaluar tregon rritje të lartë.

Deri tani nuk është raportuar asnjë rast vdekjeprurës nga tularemia, derisa në Klinikën infektive po trajtohen 26 raste, 11 prej të cilëve fëmijë. Rruga e përhapjes së sëmundjes është uji i puseve dhe ushqimi i ruajtur në mënyrë joadekuate, si dhe kontakti me gjësende të kontaminuara.

Tularemia në popull njihet si sëmundja e lepujve dhe manifestohet me simptoma të gripit, temperaturë, vjellje e plogështi.